Fundamenti

Hyseni nënshkruan memorandume mirëkuptimi me ministrin Çeku për realizimin e disa projekteve të rëndësishme për Gjilanin

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar sot memorandume të bashkëpunimit me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, për realizimin e disa projekteve të rëndësishme për Gjilanin.

Paraprakisht, Hyseni bëri të ditur se edhe këtë vit do të ketë përkrahje nga MKRS-ja për manifestimin “Flaka e Janarit” në vlerë prej 30 mijë euro.
Pasi falënderoi ministrin Çeku për vizitën dhe mbështetjen për Gjilanin, ai bëri të ditur se ka nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi edhe për tetë projekte që kanë të bëjnë me xhepat e gjelbër, për ndërtimin e tetë parqeve të reja.

“Kemi nënshkruar marrëveshje për dy vite me radhë për tetë projekte që kanë të bëjnë me xhepat e gjelbër për tetë parqet që do të ndërtohen, dy prej të cilëve në qytet dhe gjashtë të tjera në fshatra, ku vlera totale e këtyre projekteve është 690 mijë euro. Në këto projekte, përfshihen këndet e lodrave për fëmijë, terrene sportive dhe hapësira të tjera që mund të shfrytëzohen për banorët”, tha Hyseni.

Hidromorava

Kreu i Gjilanit bëri të ditur se në kuadër të marrëveshjeve që i ka nënshkruar sot është edhe projekti për ndërtimin e Kult Qendrës në lagjen “Dardania” në vlerë prej 700 mijë euro, projekti për skulpturat monumentale në vlerë prej 71 mijë euro, Festivali i Teatrove të Shkollave dhe projekti për hartimin e mastër planit të kompleksit sportiv në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”, ku përfshihen renovimi i palestrës ekzistuese, ndërtimi i palestrës së xhudos, shtëpisë së shahut dhe disa objekteve të tjera përcjellëse në lëmin e sportit.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, pasi falënderoi kryetarin Hyseni për një dinamikë të shtuar të punëve dhe angazhim maksimal për të rinjtë e Gjilanit, tha se marrëveshjet që janë nënshkruar sot janë për ta konsoliduar tutje infrastrukturën e sportit dhe të kulturën në Gjilan.

“Jam shumë i gëzuar që dinamika e punëve në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Gjilanit është duke shkuar mjaft mirë dhe sivjet do të kemi edhe ndërhyrje të tjera në monumentet e trashëgimisë kulturore. Krahas kësaj, bashkë me Komunën i kemi edhe këto zotimet e reja për të cilat ju foli kryetari i Komunës. Ne si Ministri, zotohemi që përpos financiarisht, do të jemi pranë Komunës edhe profesionalisht, në mënyrë që të rinjtë, sportistët dhe artistët e Gjilanit të kenë mundësi sa më të mira për ta zhvilluar potencialin dhe talentin e tyre përpara”, është shprehur ministri Çeku./rajonipress/