Hyseni: Mos harxhoni kot!

Qytetarët e Kosovës nuk duhet ta marrin mundin e t’i futen rreziqeve për të kërkuar azil në vendet e Evropës. Atje nuk ka azil për asnjë nga ta. Kështu tha Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë seancës plenare të Kuvendit. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos paguajnë para nga buxheti i tyre familjar për t’iu futur telasheve. Sepse, sipas Hysenit, shtetet e Evropës po thonë se mundësitë janë pothuajse zero për azil.
Ai ka sqaruar edhe keqkuptimin që Republika e Kosovës do t’i dënojë deri në 7 mijë e 500 euro të gjithë ata qytetarë të saj që i zë duke emigruar për në vendet e Evropës.
Ministri Hyseni tha se dënimi në fjalë nuk vjen nga Kosova, por nga vendet e Evropës si shpenzime administrative. “100 deri në 7500 euro për shpenzime administrative. Fjala është për shpenzime dhe dënime që i aplikojnë shtetet e Evropës dhe assesi shteti i Kosovës dhe asnjëherë nuk e kam thënë një gjë të tillë”, tha Hyseni. Po ashtu, ai bëri thirrje që të mos keqpërdoret kjo situatë e emigrimit për kapital politik. /Zëri/