Hyseni: Mendimi shkencor duhet të jetë bazë për vendimmarrje politike
Gjilan – Flamur Hyseni nga ISLD duke folur rreth konferencës shkencore tha se lidhur me rolin e konferencës së dytë shkencore regjionale me temën “Sundimi i ligjit dhe siguria publike, faktorë ndikues në bashkëpunimin ekonomik rajonal”, konsiderojë se mendimi shkencor duhet të jetë bazë për vendimmarrje politike dhe bashkëpunuese, madje edhe integruese rajonale.
“Ne integrimin duhet ta përfundojmë në nivel kombëtar dhe rajonal, pastaj ta synojmë atë evropian. E mira e kësaj konference shkencore është se pjesëmarrës ishin edhe personalitete aktuale të jetës akademike shkencore, ish-funksionarë shtetërorë dhe funksionarë aktualë, të cilët kanë pasur shumëçka për të marrë sa i përket shfrytëzimit ideor për t’i shndërruar në projekte me interes publik” tha Flamur Hyseni për rajonipress.
Hyseni tha se Konferenca e radhës do të mbahet më 5 shtator, në të cilën pritet të ketë edhe pjesëtarë serbë, malazezë dhe maqedonas. “Prezantues-punëtorë shkencorë serbë nuk ka pasur, edhe përkundër ftesave të dërguara, ndërsa ka pasur disa punëtorë shkencorë shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva. Ne presim që në konferencën e tretë, më 5 shtator 2015, të kemi edhe pjesëtar serbë, malazezë dhe maqedonas”, e cila do të ja shtojë edhe një karakter konferencës atë të kombeve të rajonit.”
Sa i përket punimeve nga fushat shkencore, vlen të theksohet se ka pasur punime shumë cilësore, dhe e veçanta ishte se pati interesim të shtuar me pyetje dhe diskutim të hapur akademik-shkencorë lidhur me punimet e prezantuara nga punëtorët shkencor si Irakli Kocollari, Ilirjana Nano, Sadik Rashiti, Menavere Rashiti, Zahir Çerkini, Azem Hajdari, Burim Haliti, Drita Konxheli, Neshat Podvorica, Nehat Rudhani, Fitim Rifati, e shumë të tjerë.
Punimet u botuan në Revistën Regjionale të Shkencave Shoqërore REFORMA, e cila është e vetmja e këtij lloj në rajon dhe ky numër ka gjithsejtë 880 faqe, me 108 punime shkencore të botuara nga fusha e drejtësisë, ekonomisë, edukimit, sociologjisë, filozofisë, medieve-gazetarisë, diplomacisë e marrëdhënieve ndërkombëtare, integrimeve evropiane dhe historisë.
Revista “Reforma” është e regjistruar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ dhe ka numrin e protokollit KDU 33/34 (05) dhe atë të ISSN 1800-9794-print formë.
Po ashtu, secili punim autorial dhe bashkautorial ka protokollimin në KDU individuale, që janë standarde që duhet të përmbushen nga revistat shkencore. Revista udhëhiqet në kolegjium, ka redaktor përgjegjës dhe sekretar të përgjithshëm. Së shpejti bordi drejtues i ISLD-së do të vendosë edhe për botimin e versionit online të revistës, ku qasja në revistë do të bëhet në forma të ndryshme.
ISLD ditën e konferencës ka nënshkruar edhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin “Luarasi” nga Tirana, ku do të bashkëorganizojnë konferenca të tilla dhe hulumtime të ndryshme në Tiranë dhe Gjilan.
Bordi i ISLD, falënderon mediat elektronike dhe të shkruara që përcjellën punimet e kësaj konference, poashtu veçanërisht falënderon Komunën e Gjilanit dhe kryetarin Haziri për përkrahje, FES-in, PTK dhe OEK-un, dega Gjilan./rajonipress/


