Hyseni: Më shumë pritet rivalitet brenda partiak se sa garë mes partive politike

Gjilan – Edhe pse ka emra të shumtë dhe të rinj që kanë hyrë në garën për deputet nga rajoni i Anamoravës, ekspertët nuk shohin ndonjë risi apo emër të dëshmuar në skenën politike. Flamur Hyseni profesor universitar mendon se gara pritet të zhvillohet ndërmjet kandidatëve të të njëjtit subjekt politik, sesa garë mes partive politike.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, tashmë subjektet politike kanë propozuar kandidatët e tyre që të garojnë për pozitën e deputetit, mandat ky i cili u mundësohet të fitojnë domosdoshmërisht përmes partisë që i kandidon, sepse pak ka traditë kandidimi i pavarur.
Analizuar kandidaturat e secilit subjekt politik nga Anamorava, del se prapë zhvillohet një garë e brendshme në mes “qendrorëve dhe joqendrorëve të partive”. Kështu mendon Flamur Hyseni profesor universitar dhe njohës i zhvillimeve politike raporton rajonipress.
Sipas tij shikuar kandidimet si kandidatura individuale nuk shihet ndonjë risi dhe ndonjë emër i dëshmuar në skenën jashtë politikës, madje që ka njohje – emër jashtë Gjilanit, ndërsa shikuar si përvojë politike ka emra të njohur edhe përtej Gjilanit. Se sa e përfaqësojnë Anamoravën dhe kryeqendrën e saj Gjilanin tashmë është vërtetuar se është diskutim i madh, sepse asnjëri nga liderët e partive nuk vjen nga kjo anë, madje as me pozicion ndikues nuk ka nga kjo anë, dhe kjo e dëshmon se vjen si pasojë e mungesës së partisë politike anamoravase, e cila mbet pa u nisë edhe në këto zgjedhje.
““Qendrorët” Zenun Pajaziti, Hydajet Hyseni, Fatmir Rexhepi, Lirije Kajtazi, Ahmet Isufi, Emin Krasniqi, Nijazi Idrizi, Sabit Rrustemi, Shaip Surdulli, Salihe Mustafa, Ismail Kurteshi garojnë me epitetin se kanë qenë dikur dhe disa nga ta ende janë në pozicione të vendimmarrjes institucionale dhe partiake, të cilët edhe mund të konsiderohen favoritët kryesor, ndërsa të tjerët që garojnë për herë të parë për deputet, por që nuk janë marrë me politika qendrore mund të jenë befasia e zgjedhjeve që pak ka gjasa” thotë Hyseni.
Ndërsa nëse krahasohen “qendrorët dhe jo qendrorët” e Anamoravës për pozitën e deputetit del se, prapë “përvoja politike” garon me vet veten, nuk ka ndonjë konkurrencë nga jeta e shoqërisë civile apo asaj akademike, poqëse nuk ka ndonjë ndryshim deri në moment të fundit për kandidimin e Sadik Haxhiut nga Vitia.
Hyseni thotë se duhet pasur parasysh edhe kandidimin e Qemajl Mustafës tashmë ish kryetar i Komunës, i cili është i njohur me deklaratat mos pajtues sa i përket trajtimit të Gjilanit dhe Anamoravës në vendimmarrjen qendrore i cili ka edhe një specifikë të deklarimit politik në raport me gjithë të tjerët.
“Prapë më shumë pritet rivalitet brenda partiak se sa garë mes partive politike dhe kandidatëve të tyre. Tensionet politike në dy partitë e mëdha të theksuara dhe reflektuara seriozisht edhe në Gjilan kanë lënë pasoja edhe te anëtarësia dhe elektorati tradicional i dyjave do ta ketë të vështirë përcaktimin për përkrahje”.
Vlen të përmendet edhe për nismën e re “NISMA” dhe kandidatët e saj ambicioz, por jo me ndonjë dëshmim në jetën socio-politike, së paku jo në Gjilan, ndërsa dihet se për pozitën e deputetit kërkohen edhe vota jashtë Gjilanit.
Analizuar në aspektin e pozicionit partiak dhe ndikimit nga pozicioni i tillë dhe institucional, del se Zenun Pajazit anëtar i kryesisë qendrore PDK, Lirije Kajtazi kryetare e Forumit të Gruas LDK dhe Ahmet Isufi nënkryetar i AAK janë momentalisht që kanë pozicione partiake në qendër dhe që mund të konsiderohet ndikim politik direkt mendon Hyseni./rajonipress/