Fundamenti

Hyseni: Me politika shkatërrimtare në veri Kurti e ringjalli Rezolutën 12 44

/ 8 minuta lexim

Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Skënder Hyseni, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka ringjallur Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai ka treguar se këtë e ka bërë me pranimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hyseni ka thënë se ky draft është rezultat i politikave shkatërrimtare të kryeministrit Kurti në veri.

“Vazhdimisht kam tërhequr vërejtje që me verime që Kurti po i bën në veri po e ringjall Rezolutën 12 44. Nga një rezolutë që ishte klinikish e vdekur, ai e ka ushqyer dhe ringjall atë me verimet dhe politikat shkatërrimtare që i ka bërë karshi veriut dhe serbëve të veriut të Kosovës. Prandaj, nuk e di pse duhet të befasohemi sot që rezoluta 12 44 figuron në preambulë të draftit, ndërkohë që nuk figuron mendimi këshillëdhënës i GJND-së, e cila e thotë se shpallja e pavarësisë nuk e ka shkel asnjë normë të se drejtës ndërkombëtare. Kemi një prapakthim, i cili vështirë se mund të rikuperohet”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, drafti i Asociacioni në esencë është autonomi me kompetenca të zgjeruara për serbët e Kosovës.

“Ky draft-statut në esencë përmban jo vetëm një autonomi me kompetenca të shtuara ekzekutive, madje përtej kompetencave të komunave, por është një instrument, i cili e vulos mosparagjykimin e statusit të Kosovës. Madje, as rezoluta 12 44 nuk e ka paragjykua në mënyrë kaq të egër mosparagjykimin e statusit të Kosovës”, është shprehur Hyseni.

Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë ka bërë me dije se deri në këtë gjendje Kosova ka ardhur për shkak të gabimeve që ka bërë në proces Qeveria Kurti.

“Gabimi i parë i rëndë strategjik ka qenë pritja e qeverisë që dikush tjetër të sjell draft për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dhe ky është epilogu u gabimeve në vazhdimësi që janë bërë që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti, që nga rifillimi i dialogut me Qeverinë Kurti. Unë me gjithë vullnetin e mirë e kam këshilluar koordinatorin aktual të dialogut që të mos të rihapen temat dhe marrëveshjet e kaluara të arritur në Bruksel. Sepse mund të përfundojmë në një rezultat shumë më të keq”, është shprehur Hyseni.

Tani Kosova, sipas Hysenit, është në një status quo të re.

“Tash në Kosovë po konsolidohet një status quo e re, e cila në thelb të angazhimeve diplomatike e ka ruajtjen e sigurisë dhe asgjë tjetër. Ndërkohë që para 4-5 vite në thelb të angazhimeve diplomatike ishte zbatimit i të gjithave marrëveshjeve dhe njohja e ndërsjellë. Pra, formula ‘nuk pajtohemi për asgjë derisa nuk pajtohemi për çdo gjë’, që ka qenë qëndrim i prerë i BE-së dhe i SHBA-së është zhbë. Tash mund ‘të pajtohemi për çdo gjë pa u pajtuar për gjithçka’. Pra, e ka kthyer një formulë që është tmerrësisht e disfavorshme për Kosovën”, është shprehur Hyseni.

Ai ka thënë se këto veprime Kurti i ka bërë për të blerë kohë.

Hyseni ka mohuar pretendimet e Kurtit se më herët ka pasur draft-statut të Asociacionit.

“Me paturpësinë më të madhe Albin Kurti thotë se ky draft-statut është më i mirë se ai i vitit 2013 ose 2015, në kohën kur as në 2013 e as 2015 nuk ka pasur draft satat për Asociacion. Nuk ka pasur asnjëherë draft-statut të prezantuar zyrtarisht në Kosovës”, është shprehur ai.

Kosova nuk ka politikë të jashtme

Skënder Hyseni, i cili ka qenë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e pavarësisë, ka kritikuar ashpër diplomacinë kosovare.

Ai ka thënë se angazhimi Gani Jakupit si ekspert i jashtëm për diplomaci është vetëm keqpërdorim me fonde publike.

Eco Higjiena

“Nuk kam parë që Ministria e Jashtme ka angazhuar ndonjë ekspert. Ka angazhuar një njeri për të cilin besoj se pjesa dërmuese e opinioni ka mësua vetëm tani”, ka thënë ai.

Ai ka bërë me dije se Ministria e jashtme ka nevojë për konsulenca të mirëfillta ndërkombëtare.

“Ministria e një vendi siç është Kosova ka nevojë për konsulencë ndërkombëtare, por për konsulencë të mirëfilltë, e cila i hap shtigje dhe rrugë komunikimit me bashkësinë ndërkombëtare. Ndërkohë, që përshtypja ime e parë nga e gjithë kjo tollovi rreth këtij të ashtuquajturi këshilltar nuk me lejojnë të besoj që kemi të bëjmë më një ekspert të politikës së jashtme”, është shprehur ai.

Sipas tij, kontrata e MPJD-së me Gani Jakupin është vetëm keqpërdorim i parasë publike.

“Janë veprime tërësisht të papranueshme të kësaj qeverie si në fushat tjera, shpenzim tërësisht joracional i fondeve dhe parasë së taksapaguesve të Kosovës në projekte të cilat Kosovës nuk i sjellin bash asnjë dobi të vetme. Ky është vetëm një moment i vogël në vargun e keqpërdorimeve të politikes së jashtme inekzistente të Republikës së Kosovës. Ka dy tre vite që Kosova nuk ka politikë të jashtme, nuk ka komunikim të rregullt qoftë multilateral, qoftë bilateral me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se duhet kërkuar llogari nga Qeveria se cilat shërbimi i ka ofruar deri me tani eksperti në fjalë.

“Nuk do të duhej të ishte alarmante shuma e pagesës se një eksperti të mirëfilltë ndërkombëtar. Alarmante është se paguhet një anonimus, që për llogaritë e mija dhe të shumicës se qytetarëve, për punët që nuk i bën fare. Dhe pyetja që duhet shtruar nga opozita në Kuvend është se cilat shërbime i ka ofrua dhe i ofron ai njeri për këtë shumë me të cilën kompenzohet”, ka thënë Hyseni.

LDK-ja po tregon shenja të çrrënjosjes së mentalitetit të VV-së

Ish-zyrtari i lartë i LDK-së ka folur edhe për procesin e brendshme zgjedhor, të cilin e ka përfunduar kjo parti politike. Ai e ka uruar Lumir Abdixhikun për rizgjedhjen në postin e të parit të partisë.

“Cinikët mund të gjejnë vërejtje, jo 100 për qind të votave, jo votim i hapur që nga zgjedhja nëpër degë. Por, nuk me jep të drejtë mua të jem kritik meqenëse nuk kam qenë pjesë e këtij procesi në asnjë fazë të zhvillimit dhe nuk kam bërë përpjeke të jem”, ka thënë ai.

Me gjithë kritikat që ka ndaj lidershipit aktual të LDK-së, ai ka thënë se të kjo parti ka pak shpresë.

“Ajo që mund të them është se nëse kam ndonjë shpresë në opozitën aktuale atë grimë shprese e kam të LDK-ja edhe në këtë formacion çfarë është, përkundër shumë pakënaqësive që unë kam, por nuk është as koha dhe as vendi që t`i them”, ka vlerësuar Hyseni, duke i uruar sukses z. Abdixhiku.

“Unë e uroj z. Abdixhiku për rizgjedhjen, pavarësisht rrethanave. Dhe e uroj që të ketë sukses në ato që ditëve të fundit po përpiqet t`i proklamoj LDK-ja, një far opozitarizimi ndonëse ende i lodhur, por prapë pak më i mirë se ai i para 5-6 muajsh”, ka thënë Hyseni.

Ndër të tjera, ai ka treguar edhe gabimin më të rëndë që ka bërë LDK-ja pas zgjedhjeve.

“Gabimi më i rëndë ka qenë krijimi i mundësve për të zgjedhur një presidente siç është Vjosa Osmani, e cila mund të jetë çdo gjë, por jo presidente e Kosovës. Këtë po e dëshmojnë veprimi i saj i përditshëm në politikë. Është vetëm përcjellëse e parëndësishme dhe jo efekteve e Albin Kurtit. Po me duket që në LDK ka marr shumë kohë që të çrrënjoset mentaliteti i VV-së, që ka qenë thellë i strukturuar”, ka thënë ai, duke shtuar se kove të fundit po vërehet një përpjekje më e shtuar për të çrrënjosur një mentalitet të tillë.