Hyseni: Kosova është e gatshme të arrestojë të dyshuarit e Speciales
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka mbajtur konferencë për shtyp, ku ka folur për gjendjen e sigurisë në vend.Ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, pjesëmarrja në luftëra të huaja si dhe gatishmëria e policisë për zbatimin e urdhrave të prokurorëve të Gjykatës Speciale për të arrestuar të dyshuarit e kësaj gjykate kanë qenë disa prej temave që ai ka prekur.
Ndërsa sa i përket themelimit të dhomave të veçanta të Gjykatës Speciale ai ka shtuar se organet e rendit janë të gatshme që të marrin përgjegjësi, shkruan zëri.
“Institucionet e Kosovës janë të gatshme t’i marrin përgjegjësit dhe obligimet, më konkretisht Policia e Kosovës do ta bëjë zbatimin e urdhrave të prokurorëve nga kjo gjykatë për ti arrestuar të dyshuarit e kësaj gjykate”, ka thënë ministri Hyseni.
Ai foli edhe për aplikimin e Kosovës në organizatën e Interpolit, ku theksoi së çështja është duke u shqyrtuar.
Hyseni tha se institucionet kosovare presin një vlerësimin pozitiv sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që pritet të ndodhë në muajin shtator nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Hyseni: Rreth 100 kosovarë luftojnë përkrah grupeve terroriste
Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ka thënë se Kosova ka rreth 100 qytetarë të saj në Siri dhe Irak.
Sipas ministrit Hyseni, sipas informatave që disponon kjo ministri, deri më tani në luftimet përkrah grupeve terroriste atje, deri më tani janë vrarë rreth 40 kosovarë.
Megjithatë, gjatë një konference për media, ai ka sqaruar se nga informatat të cilat i posedon Qeveria e Kosovës, Kosova nuk është cak i ndonjë sulmi terroristësh.
Përkundër kësaj, ai ka shtuar se Kosova, sikurse të gjitha vendet tjera, nuk është imune ndaj këtij fenomeni.
Sipas ministrit të Brendshëm, nuk është mirë të përzihen perceptimi me realitetin, kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë.
Duke folur rreth mosmbajtjes së koncertit për përvjetor të SHBA-ve më 4 korrik, Hyseni ka theksuar se për koncertin nuk është kërkuar leje dhe nuk ka pasur arsye për tu anuluar.
“Askush nuk ka paralajmëruar koncert, kështu që nuk ka mundur të ketë as anulim të tij”, ka thënë Hyseni. /Telegrafi/


