Hyseni: Kam pasur dyshime që autostrada Gjilan -Prishtinë mund të përfundohet më 28 nëntor

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në mbledhjen e radhës, nën drejtimin e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka shqyrtuar raportin financiar janar-shtator 2023, raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2022, përkatësisht ka miratuar rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve, vendimin për shpalljen e interesit publik në katër parcela, tri prej tyre në Livoç i Epërm dhe një tjetër në Dobërçan, për nevoja të ndërtimit të dy sallave sportive dhe një çerdheje, kërkesën e Drejtorisë së Bujqësisë për alokimin e një shume prej 3840 euro për participim në projektet e serave të zinkuara si dhe është njoftuar me suksesin e nxënësve në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2022/2023.

Kërkesa e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni që në rend dite të kësaj seance të përfshihen edhe propozim-vendimi për shfuqizimin e 16 vendimeve të mëhershme të Kuvendit, të cilat nga MAPL janë vlerësuar të kundërligjshme, si dhe projekt rregullorja e re për tarifat në infrastrukturë, nuk kanë marrë vota të mjaftueshme, pasi opozita e cila përbën shumicën në Kuvend, ka votuar kundër, me arsyetim se këto dy pika nuk kanë kaluar paraprakisht nëpër komitete përkatëse.
Ndërkohë, Hyseni tha se kërkesën për shfuqizim të 16 vendimeve do ta sjellë në Kuvend sërish, sepse ato janë konstatuar si të kundërligjshme nga MAPL-ja dhe këtu nuk ka çka diskutohet më.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me pyetjet e këshilltarëve komunalë, sa i përket rastit të keqpërdorimeve të konstatuara në QKMF, Hyseni tha se ne i kemi ndërmarrë masat e duhura duke e shkarkuar menaxhmentin e vjetër dhe duke emëruar një menaxhment të ri, ndërsa raportin me gjetjet e komisionit e kemi dërguar te Krimet Ekonomike dhe tani jemi në pritje të organeve të tjera që të merren me këtë punë.

Kurse sa i përket varrezave, Hyseni tha se është nënshkruar memorandumi me Bashkësinë Islame në Gjilan dhe ajo e ka marrë për obligim që në bashkëpunim me shoqatën e arkitektëve dhe inxhinierëve të hartojnë projektin dhe pas kësaj mbetet që të sigurohen edhe mjetet.

Hyseni u ndal edhe te kërkesat dhe shqetësimet që ka ngritur komuniteti serb rreth lokacionit të varrezave, duke sqaruar se qasja deri atje do t`i ketë së paku 4 deri në 5 rrugë dhe jo vetëm rrugën nga fshati Shillovë dhe për më tepër lokacioni do të jetë vend për varreza edhe të komuniteteve, përfshirë edhe komunitetin serb, për të cilin do të ndahet minimumi gjysmë hektari tokë.

Sa i përket pyetjes për një auditim në Ecohigjienë, Hyseni tha se kjo kompani është në partneritet publiko-privat dhe nuk është veç e Komunës, duke i rikujtuar kuvendarët se kompanitë publike, përmes Komisionit të Aksionarëve, raportojnë në Kuvend dhe jo te kryetari i Komunës, prandaj edhe llogaria nuk duhet të kërkohet tek ai.

Ndërkohë në lidhje me punimet në rrugën Gjilan-Bujanoc, projekt ky i nivelit qendror, Hyseni tha se është e vërtetë që punimet janë duke vazhduar me një ritëm të ngadaltë dhe ky është shqetësim edhe i tij, sikurse edhe në rrugën Gjilan-Kllokot dhe te zgjerimi i rrugës Gjilan-Prishtinë.

Hidromorava

Hyseni është përgjigjur edhe në pyetjen për autostradën Gjilan-Prishtinë, e cila sipas premtimeve të nivelit qendror, duhet të përfundojë më 28 nëntor ose më së largu në fund të këtij viti.

“Sa i përket autostradës, duke i parë punët në terren, unë i kam pasur dyshimet e mia që mund të përfundohet deri në këtë datë dhe ato i kam shprehur edhe publikisht”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se pranvera ose vera e ardhshme, realisht është afati optimal kur mund të përfundojë ky segment i autostradës.

Sa i përket raportit financiar, u.d. drejtori, Ilmi Limoni, tha se për këtë periudhë raportuese, buxheti komunal në shumën e përgjithshme prej 34 milionë e 319 mijë euro është shpenzuar për 63 për qind ose 21 milionë e 644 mijë euro.

Për paga dhe mëditje janë shpenzuar 13.997.358 euro ose mbi 87 për qind, për mallra dhe shërbime – 3.256.040 euro ose mbi 48 për qind, për shpenzime komunale – 377.100 euro ose 55 për qind, për subvencione – 797.947 euro ose 45 për qind, për shpenzime kapitale – 3.216.017 euro ose 35 për qind.

Por, një e mirë është tek të hyrat komunale, të cilat për herë të parë shkojnë në mbi 5 milionë e 700 mijë euro, apo mbi 116 për qind, ka thënë Limoni.
Opozita është shprehur kritike për punën e qeverisjes komunale, sidomos për investimet kapitale, ku vërehet një ngecje.

Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe kërkesën e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilën e ka prezantuar nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, për lejimin e shfrytëzimit të mjeteve në shumë 7.443 euro nga projekti për subvencionimin e bizneseve të grave dhe bizneseve start up, pasi katër përfitues janë tërhequr për arsye personale dhe kësisoj t`u mundësohet disa bizneseve tjera të grave, të cilat janë në listën e pritjes, të përfitojnë nga këto mjete. /rajonipress/