RCCOLA

Hyseni: “Flaka…” përveç karakterit artistik, ka vlerën e historisë e peshën e madhe të trashëgimisë ndër breza

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Në 33-vjetorin e filleve të manifestimit “Flaka e Janarit”, kreu i komunës së Gjilanit Alban Hyseni, bashkë me familjarë të heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, si dhe zyrtarë institucionalë, ka ndezur flakadanin në platonë e Teatrit të Qytetit, në shenjë të nderimit e dedikimit ndaj sakrificës sublime të dëshmorëve të kombit Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, si dhë gjithë dëshmorëve tjerë të rënë për liri në periudha të ndritshme të historisë kombëtare, duke filluar nga epoka e Skënderbeut e këtej.

Hyseni në fjalën e tij shprehu kënaqësinë që po fillon manifestimit “Flaka e Janarit 2024”, të cilin e cilësoi unik për nga struktura përmbajtësore në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë.

“Po fillojmë këtë manifestim në 40-vejtorin e vrasjes së dy heronjëve tanë, Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Atëbotë Rexhep Mala 33-vjeçar e Nuhi Berisha 23 vjeçar, të cilët në shtetrrethim të paparë ndonjëherë, luftuan kundër forcave që ishin pakrahasimisht më të shumta në numër dhe më të pajisura në armatime, duke rezistuar dy ditë rresht, për t’u bërë të përhershëm e përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive, si dhe për të përforcuar me gjakun e tyre rrugën e lirisë e cila do të kulmonte në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës”, tha Hyseni.

Fidanishtja

Hyseni, para të pranishmëve të numërt, vuri në dukje më tej peshën, rëndësinë dhe jehonën që ka dhe do të ketë ndër breza manifestimi “Flaka e Janarit”.

“Ky Manifestim përveç si aktivitet kulturor e artistik, ka vlerën edhe të historisë e peshën e madhe të barrës që duhet të bartin brezat që vijnë më pas, për rrugët që kanë trasuar dhe përgatitur për ne, e sidomos për ata që bartin sot përgjegjësitë publike, që të vazhdojë të jetë e ndershme ajo rrugë dhe të punohet me përkushtim të madh për të sjellur vendin tonë e popullin tonë në një gjendje më të mirë për vitet që vijnë e kohën që na pret”, shtoi Hyseni.

Hyseni më tej theksoi rëndësinë e madhe të vazhdimësisë së traditës, që aktivitetet e përgatitura përgjatë rrjedhës së manifestimit nëpër shtyllat përkatëse të përcillen sa më shumë, përfshirë ekspozitën e hapur enkas në nismën e edicionit të këtij viti, në mënyrë që mesazhi i sakrificës sublime për vendin të përcillet ndër brezat që vijnë e që do të jetojnë në vendin tonë me popullin tonë.Hyseni apeloi në fund tek artdashësit e mysafirët që të kontribuojnë që “Flaka e Janarit”, të jetë një manifestim me një vlerë artistike por edhe kombëtare – historike, veçmas e Gjilanit, sikurse edhe gjithë vendit tonë.
Në fund të ceremonisë hapëse të manifestimit “Flaka e Janarit 2024”, të pranishmit vizituan ekspozitën e prezantuar me temë: “Flaka ndër vite”, ekspozitë kjo kryesisht me fotografi e video, si dhe u shoqëruar me pika të zgjedhura artistike/muzikore./rajonipress/