Hyseni edhe në Kamenicë kërkon parandalimin e dukurive negative
Kamenicë – Ministri Hyseni ka kërkuar që rëndësi më të madhe t’i kushtohet parandalimit të dukurive negative, si ekstremizmi fetar e radikalizmi, e disa fenomene tjera si dhe ka apeluar që të ruhet toleranca fetare e etnike në shtetin e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, sot ka pritur Ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hysenin me bashkëpunëtor.
Në takim, pos kryetarit të Komunës ishin të pranishëm edhe nënkryetari i komunës, Fatmir Matoshi, kryesuesi i Kuvendit komunal Bajram Dermaku, komandanti i stacionit policor të Kamenicës Nazif Hajrizi etj.
Bashkëbiseduesit folën për çështjet të cilat kishin të bënin me sigurinë, si dhe forcimin e bashkëpunimit të komunës me ketë ministri.
Vlerësimi i përbashkët i tyre ishte se siguria në ketë komunë multietnike vazhdimisht ka qenë stabile dhe shembull për komunat tjera.
Sinani potencoi faktin se komuna ka një vij kufitare të gjatë me Serbinë, ndërsa problematike është çështja e kufirit në fshatin Karaçevë, për të cilin problem janë të njoftuara të gjitha strukturat republikane dhe opinioni i gjerë.
Komuna e Kamenicës, ka paraqitur kaherë kërkesën për hapjen e pikës kufitare me komunën e Medvegjes, ku qytetarët e dy anëve të kufirit të mund të lëvizin lirshëm dhe të mund të shfrytëzonin pronat e tyre në dy anët.
Ministri Hyseni dhe Sinani u takuan edhe me anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Hyseni, atyre u foli për çështjen e sigurisë në përgjithësi në Kosovë, dhe për masat që po ndërmerr ministria që e drejton ai.
Ministri, poashtu kërkoi që rëndësi më të madhe t’i kushtohet parandalimit të dukurive negative, si ekstremizmi fetar e radikalizmi, e disa fenomene tjera si dhe ka apeluar që të ruhet toleranca fetare e etnike në shtetin e Kosovës.
Ai kërkoi angazhim të përgjithshëm, duke filluar nga familja, këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet e ndryshme shoqërore, shoqëria civile, bashkësitë fetare në bashkëveprim të përgjithshëm në mënyrë që të eliminohen fenomenet negative me të cilat ballafaqohet shoqëria e jonë kohëve të fundit.
Komandanti i policisë Nazif Hajrizi, me shifra tregoi për rënie të kriminalitetit në komunën e Kamenicës për 32%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.
Për suksesin e arritur kryetari i komunës e përgëzoi komandantin dhe pjesëtarët e stacionit policor të Kamenicës./rajonipress/


