Hysen Ymeri në mungesë të provave lirohet i pafajshëm

Gjilan – Hysen Ymeri, ish shef i Zyrës së Ofiqarisë në Komunën e Vitisë, është liruar nga akuzat për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare. Ymeri akuzohej se në vitin 2008 kishte sulmuar zyrtarë të kësaj komune, pasi ata e kishin njoftuar se duhej ta ndërronte zyrën.
Gjyqtari Skender Shefkiu në një arsyetim të shkurtër ka liruar për mungesë provash nga akuza Hysen Ymerin.
Sipas propozim akuzës, Ymeri, ish-shef i Zyrës së Ofiqarisë në Komunën e Vitisë ngarkohej për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, pasi në vitin 2008 kishte sulmuar drejtues të lartë të kësaj komune kur ata i kërkuan të ndërronte zyrën.
Hysen Ymeri tha për rajonipress se ndihet i relaksuar pas marrjes së lajmit se është liruar nga akuza.
“Unë kam pasur një aktakuzë për pengim të personit zyrtar në raport me ish-udhëheqjen komunale dhe natyrisht drejtësia ka vendosë drejt dhe sot është nxjerrë aktgjykimi lirues dhe në favor timin, përkundër kërkesës së prokurores Bahtije Ademi që unë të dënohesha “, tha Ymeri.
Ndryshe historia e rastit të Hysen Ymerit nisë që nga viti 2008 kur ai ishte rrahur në zyrën e kryetarit të komunës. Në vend se të ndërmerreshin masa ndaj personave që e kishin goditur Hysen Ymerin, ai suspendohet fillimisht nga puna për shkelje të kodit të etikës për t`iu ndërprerë më vonë edhe marrëdhënia e punës.
Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga ana e Daut Xhemajlit e kishte revoltuar Ymerin i cili edhe tani thotë se suspendimi ishte një hakmarrje politike.
Atë kohë arsyetimi i Xhevat Bislimit ish shef i protokollit të kryetarit Nexhmedin Arifi ishte se Hysen Ymeri ishte suspenduar për shkak se kishte sharë kryetarin e Komunës dhe nuk e kishte respektuar kodin etik.
Por, Ymeri kishte deklaruar se pos që ishte suspenduar në mënyrë antiligjore dhe pa kurrfarë baze juridike ai edhe ishte rrahur e fyer nga Xhevat Bislimi, madje në prezencën e Nexhmedin Arifit dhe të Daut Xhemajlit.
Ymeri thotë se ka shkuar në zyrën e Nexhmedin Arifit për të kuptuar arsyet e suspendimit, por Xhevat Bislimi i tha kryetarit pse po e pranoni këtë vagabond dhe arrogant, kujton Ymeri deklaratën e tij të mëhershme dhënë para komisionit disiplinor dhe në mediet qendrore, për të cilën thotë se tani e ka shndërruar në padi dhe pret shumë shpejt që të ballafaqohet me Daut Xhemajlin e Xhevat Bislimin në gjykatë.
Gjithnjë sipas historisë së Hysen Ymerit, Xhevat Bislimi e kishte goditur atë, ndërsa Arifi dhe Xhemajli e kishin mbajtur, derisa Bislimi ka vazhduar të më godas me shqelma dhe boksa derisa jam alivanosur. “Nga të goditurat kam pësuar edhe alivanosje dhe kam marrë ndihmën e mjekut. Policia e Vitisë edhe pse më intervistoi as një hap nuk e ka ndërmarrë” sqaron tani Ymeri.
Por rreth këtij incidenti (2008), Daut Xhemajli ish shef i personelit kishte thënë para komisionit se Hysen Ymeri disa herë i ka refuzuar urdhrat e tij se nuk ka qenë i disiplinuar në punë si dhe e ka fyer disa herë para punëtorëve të administratës.
Por ka kaluar një kohë e gjatë dhe “jarania” mes Daut Xhemajlit, Xhevat Bislimit e Nexhmedin Arifit është shkatërruar në mënyrë ekstreme. Ymeri tha për rajonipress se ndihet shumë i lumtur me vendimin e Gjykatës.
E vendimin e Gjykatës së Vitisë tani po e përkrah edhe Nexhmedin Arifi, ish-kryetar i Vitisë. “Ky vendim është i drejtë, rrethanat e mëvonshme kanë treguar që ky ka qenë një skenar i përgatitur kundër Hysen Ymerit“, tha Arifi.
Sipas aktakuzës Hysen Ymeri e kishte sulmuar me fjalë të rënda, fyerje, e edhe fizikisht, Daut Xhemajlin, ish-nënkryetarin e Komunës së Vitisë Xhevat Bislimin dhe vetë Nexhmedin Arifin.
Ndryshe treshja e ish zyrtarëve të lartë të Vitisë aktualisht janë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Daut Xhemajli ka dy aktakuza të ngritura dhe shpejt pritet të nisë procesi ndaj tij, derisa procesi ndaj Nexhmedin Arifit është në përfundim e sipër, kurse ndaj Xhevat Bislimit pritet shumë shpejt të nisë procesi gjyqësor. /rajonipress/