Hysaj do vetëm 3 pikë kundër San Marinos

Pavarsisht humbjes që pësoi Shqipëria ndaj Anglisë, Elseid Hysaj u shfaq i buzëqeshur dhe optimist në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj San Marinos, sfidë në të cilën mbrojtësi i Napolit do të mbajë shiritin e kapitenit në krah pasi titullar në portë nuk do të jetë Etrit Berisha por Thomas Strakosha.

Hysaj nënvizoi se humbja ndaj Anglisë ishte e pranueshme ndërsa ndaj San Marinos kuqezinjtë do të zbresin në fushë vetëm për 3 pikët, ndërsa foli edhe për skemën që përdor Reja.

“Humbëm me Anglinë, nuk na bëri shumë përshtypje. E dinim që ishte ndeshje e vështirë. Nëse bënim mrekulli do ishte shumë mirë. Kemi menduar për Andorrën dhe San Marinon si ndeshjet më të rëndësishme, kurse për Anglinë të gjithë ëndërronin të luanin dhe rezultati nuk dihej”.

“Do jetë një ndeshje si në Andorrë, kemi parë disa video dhe ata rrinë mbyllur. Kemi folur me trajnerin, por provojmë disa lëvizje që të kemi më shumë raste se në ndeshjen kundër Andorrës”, tha Hysaj më pas.

“Kam më shumë hapësira me këtë modul, do jap maksimumin si gjithmonë. Çdo ndeshje është ndryshe dhe unë jam gati, sikurse edhe gjithë të tjerët. Normalisht është bukur të jesh kapiten, por që kur merr telefonatën është shumë bukur. Është fantastike të jesh pjesë e grupit. Shiriti të jep ndjesi të bukur dhe duhet respektuar”.

“Me Andorrën dhe San Marinon nuk duhen lënë pikë, duhet të bëjmë maksimumin me çdo ekip. Me Anglinë kishim rastet tona, por nuk i shfrytëzuam. Me dy ekipet më lart duhet të shënojmë dhe të vazhdojmë të konkurrojmë për kualifikimin. Duhet vlerësuar maksimalisht kjo ndeshje.

“Me Anglinë patëm mundësitë tona, por Anglia është Anglia. Me San Marinon duam tre pikët, jemi skuadër e fortë. Marrja e pikëve është shumë e rëndësishme. Është një grup ku mund ta luajmë kundër të gjithëve. Jemi mirë fizikisht dhe psikologjikisht, jemi mësuar të luajmë kaq shpesh”. /SS/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS