Hyrija ishte e mbeti edukatore e dalluar e jetës shkollore

Gjilan – Sa herë na ikin pishtarët e dijes, ndjejmë dhembje. Pse jo? Ata janë më të çmuarit e popullit. Ata, me dijen e tyre e kanë arsimuar dhe edukuar popullin tonë shqiptar. Ata meritojnë shumë të nderohen e të përkujtohen. Janë “luftëtarë” të paepur të dijes. Ata punuan edhe në kohë më të rënda jete. Sot, populli ynë, është krenar me punën e tyre dritë. Ky popull yni ka vuajtur të zitë e ullirit nën okupimin klasik serbomadh. Ishte një regjim i egër, i cili gjithmonë e ka kundërshtuar shkollën shqipe, jo vetëm me armë, por edhe me helmimin e shkollarëve tanë të dijes.
Andaj, rruga e shkollës shqipe është me shumë sakrifica të mëdha. Ajo (shkolla) kurrë nuk është gjunjëzuar. Në këtë tempull të dijes, edhe Hyrije Bekteshi është një gur themeltar i arsimit shqip. Ajo është njëra nga femrat e para shkollare në Anamoravën e Gjilanit. Ajo e përballoi atë zezëkohë dhe doli si e para e shkollare shqiptare. Ajo sot na mungon. I mungon familjes, por na mungon edhe neve e shoqeve të tjera që pati në jetë. Përkundrazi! Ajo na është “gjallë”. Puna e saj si edukatore dhe si njeri, na prinë edhe sot në procesin mësimor. Ajo pati vlera të shumta të dijes.
Hyrije Bekteshi ishte një mësuese e urtë, zemër butë, fjalë ëmbël, por edhe shumë e ndershme dhe punëtore. Ajo erdhi në jetë si engjëll e shenjtë e botës njerëzore. Edukoi me qindra fëmijë e shkollarë të tjerë. Filloi të punojë si edukatore me nxënës parashkollorë në komunën e Gjilanit. Punën si edukatore e ka filluar në vitin1947 me dy paralele shkollarësh. Jo vetëm kaq. Ajo të përkujton Afërditën e Sterjo Spasses. Përherë me vete mbante lapsa, fletore e “sende” të tjera për shkollarët skamnorë. Ishte një edukatore humane.
Njerëzorja ishte gjëja e parë tek ajo. Hyrije Bekteshi është e lindur më 25 shkurt të vitit 1935 në Gjilan. Në klasën e parë është regjistruar në moshën 7-vjeçare.
Mësuesja e saj e parë ka qenë Bahrije Ahmeti. Pasi ajo u largua, me Hyrijen ka punuar mësuesi Ali Buiqi. Hyrija, si e kreu shkollën fillore, ka vijuar vitin e parë në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Këtu ajo është dalluar si nxënëse shembullore. Në fillim të vitit të dytë, në vitin 1951, ka qenë të caktuara katër femra për ta vijuar kursin dymujor në Prizren. Në mesin e tyre ishte edhe ajo. Këto katër femra janë caktuar për punë në procesin e arsimit. Dhe, pas kthimit, Hyrije Bekteshi ka kryer vitin e dytë dhe menjëherë ka filluar të punojë si mësuese. Kështu, ajo ishte ndër kuadrat e parë e femrave shqiptare në Gjilan. Si fillestare i është ndarë klasa e parë. Me gjithë frikën që pati, si fillestare, ajo arriti të ketë suksese evidente dhe, për këtë, ajo mori një mirënjohje nga inspektori i arsimit Tefik Jakupi.
Në këtë vit (1951) ishte anëtare e Këshillit arsimor. Po në këtë vit, në bazë të kërkesës së Arsimit Krahinor, janë kërkuar edhe pesë mësuese për të vijuar një kurs njëmujor për aftësim si edukatore për punë me fëmijë parashkollor. Seminari është mbajtur në Prishtinë, mësimdhënësit ishin nga Beogradi, ku mbanin mësim në gjuhën serbe. Në shkollën fillore ka punuar gjer në vitin 1953.. Në vitin 1954 filloi të punojë me fëmijë parashkollor në ndërtesën e Mulla Faikut. Ishin tri grupe dy serbe dhe një në gjuhën shqipe. Punën e edukatores e ka kryer gjithnjë me sukses, sepse profesionin e kishte zgjedhur dhe e kishte dashur mjaft shumë. Me insistim të Arsimit Krahinor, në vitin 1968, është shpallur konkursi në të cilin është lajmëruar dhe me vendim të Bashkësisë Punuese është zgjedhur drejtoreshë e çerdhes së fëmijëve. Gjatë kësaj kohe ajo ka kryer edhe shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan.
Aliriza Selmani, profesor i historisë nga Gjilani thotë se, Hyrije Bekteshi ishte një mësuese e dalluar e një kohe. “Ajo ishte njëra ndër femrat e para që ka punuar më shkollarë të vegjël. Por, puna e saj është lavdëruar nga shumë profesionistë të arsimit. Ajo pati njohuri të gjithanshme, të cilat, sa punoi me shkollarë, dijen që posedonte, deshi t’a përcjellë tek fëmijët shkollarë. E deshën koleget, por e dhe shkollarët e saj ku punoi e veproi. Kjo mësuese gjilanase dha nga vetja shumë dije për shkollarët e këtij qytetit. Ishte një gur themeltar i arsimit shqipe”.
Ilaz Jashari, punëtor i arsimit në moshë tha se, kjo mësuese gëzoi autoritet tek të gjithë punëtorët e arsimit. ”Hyrije Bekteshi ka punuar dhe punën e ka respektuar gjer në fund. Ishte udhëheqëse e qerdhës së fëmijëve në Gjilan”. Vajza e saj, Shpresa, 61-vjeçare na shtoi fjalë miradije për nënën e saj, Hyrije. Ajo tha edhe këto fjalë: “Unë e kam pasur nënë, por ajo ka qenë edhe nënë e të gjithë fëmijëve që i ka edukuar në shkollë.
Kur erdhi koha të regjistrohem në SHLP, ajo insistonte vazhdimisht tek unë që të vazhdojë rrugën e saj si edukatore. Nuk e dinte se unë pata dëshirë të madhe ta studiojë gjuhën shqipe. U regjistrova aty ku më flënte shpirti. Por, ku ajo bie në kontakt me profesorët e Fakultetit të Edukimi në Gjilan, si me Faik Shkodrën e me ndonjë tjetër, duke pyetur për mua se si i kam “hallet” në studime, ata i thonë se ajo nuk është një grupin për edukatore, por në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Kur erdha në shtëpi, ajo më qortoi dhe, aq shumë e dashti drejtimin për edukatore, sa unë ia “theva” dëshirën e saj. Ajo pati shumë dëshirë të jem edukatore e ardhshme. Nga ajo ditë, unë nuk vijova mësimet në grupin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe”. Hyrije Bekteshi, edukatoresha e një kohe, vdiq, më 4 dhjetor (2015), në moshën 80 vjeçare. Ajo la pas vetes këta fëmijë: Venera (63), Besniku (59), Shpresa (61) dhe Drita 55-vjeçare. /tefik selimi/rajonipress/