Hynë pa program, dolën pa parime
Derisa po shpenzohet afati ligjor i krijimit të institucioneve të reja, të gjitha partitë politike po turren për të kapur pak pushtet, pa zgjedhur mjete dhe metoda veprimi. Teksa kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK nuk po gjen mbështetje nga koalicioni LAA dhe as nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, kandidati i këtij subjekti politik, Albin Kurti, vetëm po e pret momentin kritik të dështimit të Haradinajt për themelimin e qeverisë së re, duke shpresuar në mbështetjen e koalicionit LAA për të bërë një martesë akoma më joparimore, që të ndajnë hisen “e pushtetit dhe të parave” në qeverisjen eventuale të vendit.
PARTIVE U DALIN TË PALARAT NË FUSHË
U intereson vetëm pushteti dhe xhepi privat
“Lakmia për pushtet ua ka verbuar sytë politikanëve. Ata e kanë humbur sensin e arsyes, të edukatës, të kulturës dhe të humanizmit, janë shndërruar në ‘kafshë të tërbuara’ për pushtet dhe pasuri”, tha Faton Mehmeti
Derisa po shpenzohet afati ligjor i krijimit të institucioneve të reja, të gjitha partitë politike po turren për të kapur pak pushtet, pa zgjedhur mjete dhe metoda veprimi. Teksa kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK nuk po gjen mbështetje nga koalicioni LAA dhe as nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, kandidati i këtij subjekti politik, Albin Kurti, vetëm po e pret momentin kritik të dështimit të Haradinajt për themelimin e qeverisë së re, duke shpresuar në mbështetjen e koalicionit LAA për të bërë një martesë akoma më joparimore, që të ndajnë hisen “e pushtetit dhe të parave” në qeverisjen eventuale të vendit.
Kjo sjellje lakmitare e partive politike për pushtet nga analistët po shihet si humbje e plotë e orientimit të tyre fals programor dhe parimeve të “pandryshueshme” nga lakmia për pushtet e para. Ata konsiderojnë se edhe në rast se arrin të formohet një qeveri e tillë, ajo nuk ka se çfarë i duhet qytetarit, por do jetë vetëm për disa interesa të përfitimit të grupeve klienteliste e kriminale dhe pa parime të qëndrueshme programore të dobishme për vendin dhe qytetarët.
Të gjithë e humbën busullën
Analisti politik Gani Qarri tha se në të gjitha analizat e tij të deritanishme ka kritikuar skenën politike dhe liderët si një intelektual, se si të gjithë politikanët e kanë gojën plot zhvillim e prosperitet fals e të rrejshëm, përderisa gjithmonë po ndodh e kundërta.”Nuk mund ta quash zhvillim as prosperitet shtimin e mjerimit social dhe rritjen e varfërisë në vend, që po i shkaktojnë popullit, politikanët aktualë dhe partitë udhëheqëse të vendit. Edhe sot, ka familje e ndoshta edhe lagje e fshatra të tëra, që bëjnë jetën si në “kohën e Migjenit”, është shprehur ai. “Qytetarët e këtij vendi vërtet janë lodhur së tepërmi, ndaj jo vetëm partitë politike që nga lakmia për poste e pushtet kanë humbur krejtë- sisht orientimin, por edhe populli pothuajse ka humbur rrugën në oborr dhe nuk dinë as mund t’i besojë më asnjërit, nga politikanët pa kriter as parime të dëshmuara, që po udhëheqin kaq mbrapsht, tash e sa vite me Kosovën”, vijoi më tutej Qarri.”Më e mira për këtë vend do të ishte krijimi i një qeverie teknike afatgjate, për zgjedhjen e problemeve kryesore të grumbulluara tash e sa vite në vend, vënien e gjërave në binar dhe nxjerrjen në skenë të një force të re e të pakorruptuar politike, e cila do t’ia kthente besimin votuesit dhe ringjallte shpresat e shuara të qytetarëve për zhvillim e prosperitet të njëmendët dhe krijimin e kushteve për një jetë vërtet më të mirë për të gjithë”, tha Qarri për “Kosova Sot”.
VV-ja, shembull i hipokrizisë politike
Analisti tjetër, njohës i mirë i kësaj skene politike, Reshat Sahitaj, thotë se realisht partitë politike kanë hyrë në zgjedhje fare pa programe dhe as që mund të thuhet se e kanë humbur orientimin e tyre programor, sepse ato kurrë nuk kanë pasur program efikas së pari për zhvillimin e partisë e pastaj përmes partisë zhvillimin e Kosovës, por vetëm kanë funksionuar dhe funksionojnë si kompani të paorganizuara private, e krejt të çorientuara, prandaj janë gati edhe për çfarëdo koalicioni, vetëm të kacavirren në pushtet.”Është tepër qesharake dhe aspak e moralshme të bëhen koalicione me partinë që deri dje e ke kritikuar e madje akuzuar si hajn, si mafioze për krim të organizuar politik dhe ekonomik”, potencoi ai. “Askund në botë nuk bëhen koalicione të tilla, siç jemi duke bërë ne shqiptarët e për këtë shembulli më i mirë është kur zonja Marie Lepin ishte kandidate potenciale për kryetare të Francës dhe sikur të mos bashkoheshin të gjitha partitë tjera me programe të njëjta zonja Lepen do kishte fituar, mirëpo në Francë ka etikë morale, ka dinjitet. Albin Kurti është duke pritur si maçorri miun dhe pret t’i vërsulet pamëshirshëm viktimës. Albin Kurti nuk ka dinjitet dhe patriotizmi i tij është i rrejshëm. Albini në emër të patriotizmit po e manipulon elektoratin e tij dhe habitm se si votuesit e tij nuk e kritikojnë gjatë kohës që po zhvillon bisedime me Isa Mustafën. Si mund të bëjë koalicion me LDKnë kur Isa Mustafën e ka akuzuar VV-ja për çdo gjë të keqe e madje e quanin edhe si njeri të Millosheviqit?”, tha Sahitaj. “Po të bëhet krahasimi në mes të elektoratit të LDK-së dhe VV-së do të rezultojë se elektorati i LDK-së është shumë më i ngritur dhe më vendimmarrës, sepse të gjitha degët e LDK-së kanë vendosur të mos bëjnë koalicion me Thaçin dhe Isa Mustafa është i detyruar të veprojë sipas vendimeve të kryesive, ndërsa elektorati i VV-së nuk guxon t’i shtrojnë pyetje kryesisë e as të mendojnë ndryshe nga kryesia, e kjo është shenjë e një kryesie totalitare”, tha Reshat Sahitaj për “Kosova Sot”.
Pazaret për kryeministrin
Analisti politik Faton Mehmeti thotë se me këto veprime të ndryshme prapaskenash për pushtet po dëshmohet qartë se politika te ne është shndërruar në treg, ku çdo gjë blihet dhe shitet, se mjafton të kesh para dhe të jesh njeri pa parime. “Politika nuk shërben si mundësi programore për të bërë më të mirë jetën e qytetarëve të Kosovës. Lakmia për pushtet ua ka verbuar sytë politikanëve. Ata e kanë humbur sensin e arsyes, të edukatës, të kulturës dhe të humanizmit, janë shndërruar në ‘kafshë të tërbuara’ për pushtet dhe pasuri. Tek ne asnjë politikan nuk ka synim të arrijë në pushtet përmes programit, përmes platformës për t’ua bërë qytetarëve sa më të dinjitetshme jetën, si ofertë e mundësi që secili të gjejë veten aty ku ndihet më mirë”, theksoi Mehmeti për “Kosova Sot”.
Ai thotë se tani rast eklatant është ai i Ramush Haradinajt, i cili ka shkelur mbi çdo parim, duke u futur në çdo pazar që ia ofron postin e kryeministrit. “Duke qenë se është në hall për të bërë 61 votat e nevojshme, po përdor ftesat dhe çdo ofertë ndaj LAA dhe VV-së për të bërë koalicion, ndonëse këto të dyja po mundohen të gjejnë bashkëpunim mes veti. Çdo marrëveshje mes VVsë dhe LAA në këtë fazë është nulë, pra pa vlerë në sensin që nuk do t’u jepet mundësia për të formuar qeverinë”, tha Faton Mehmeti.


