Humbjet e opozitës

Partitë opozitare nuk po “luftohen” vetëm nga partitë në pushtet, por së fundmi betejën më të ashpër po e zhvillojnë mes vete. Ish-partitë e bllokut opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja dhe “Nisma”, pas zgjedhjeve të qershorit 2014 u bënë bashkë për t’i kundërshtuar partitë në pushtet dhe më vonë edhe marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, si dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Ish-anëtari i Kryesisë së “Nismës për Kosovën”, Xhevat Bislimi, la këtë parti për t’iu bashkuar të enjten Lëvizjes “Vetëvendosje”. Po, ashtu nga “Nisma” u largua edhe kryetari i “Nismës” në Podujevë, Bajram Ajeti, i cili bashkë me Bislimin u bënë bashkë përsëri në Lëvizjen “Vetëvendosje”. Po ashtu, nga “Nisma” u largua edhe udhëheqja e degës së kësaj partie në Ferizaj, e cila kaloi po ashtu në “Vetëvendosje”.
Edhe kryetari i “Nismës” në Drenas dha dorëheqje nga kjo parti pas koalicionit parazgjedhor me AAK-në, por që ende nuk është angazhuar në asnjë parti tjetër. Nga largimet e figurave kryesore nuk mbeti as AAK-ja e Ramush Haradinajt. Nga kjo parti, pas 13 vjet veprimi, u largua shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila më pas kaloi në “Vetëvendosje”.
Ndaj këtyre dorëheqjeve dhe kalimit në subjektet e tjera opozitare kanë reaguar edhe zyrtarë të “Nismës për Kosovën”. Shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka thënë se ish-anëtari i Kryesisë së “Nismës”, Xhevat Bislimi, ka punuar për dy vjet që kjo parti të kalojë e tëra në Lëvizjen “Vetëvendosje”. “Xhevat Bislimi për dy vjet punoi pa u ndalur që ‘Nismën’ ta bartte tek LVV-ja, pasi që nuk e arriti këtë qëllim nuk i ngeli gjë tjetër pos të shkojë vetë. ‘Nisma’ vazhdon fuqishëm me vizionin e vet për shtetin që natyrisht është i ndryshëm nga vizioni i LVV-së dhe i Xhevat Bislimit”, ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”. /zeri/