Fundamenti

Hudhri: Shqiptarët nuk ia falin suksesin Kadaresë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Pas pesëdhjetë vjetëve, nga tani, do të kuptohen emrat e kandidatëve të mundshëm për të fituar Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2014, dhe kjo ndodh për çdo vit. Ndërkohë që emrat mbahen të fshehur, parashikimet nuk kanë të ndalur, ndërsa shumë emra të njohur të letërsisë lakohen si fitues të mundshëm të çmimit të cilin e ndan Akademia Suedeze.

Në mesin e emrave që i takojnë botës së letërsisë, që shihen si fitues të mundshëm të Nobelit, nëpër vite është përmendur edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, veprat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të huaja.

Bujar Hudhri, botuesi në shqip i Ismail Kadaresë, thotë se Kadare kurrë nuk ka qenë më afër se këtë herë për ta fituar çmimin Nobel për Letërsi, sipas të cilit pozicionimi i emrit të Kadaresë është domethënës.

“Unë shpresoj dhe uroj që Kadare ta marrë nesër (sot) çmimin Nobel”. Hudhri thotë se arsyet që Kadaresë do t’ia jepnin këtë çmim janë të shumta: “Arsyet apo meritat, që e bëjnë fitues sipas meje, janë: talenti i padiskutueshëm, vepra e përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës, dhjetra çmime ndërkombëtare ku veçohen dy të tillë që janë fare pranë Nobelit: Man Booker International dhe Princi i Asturias, prej 40 vitesh në listën e kandidatëve kryesorë të Nobelit. Arsye është dhe fakti që në Europë e vetmja gjuhë që nuk e ka marrë Nobelin është gjuha në të cilën shkruan Kadare. Një nga gjuhët më të vjetra dhe të rëndësishme të botës, gjuha shqipe!”, derisa shton se nuk ka asnjë arsye që do të bënte që Kadare të mos e fitonte këtë çmim.

Botuesi i kadaresë, Bujar Hudhri, thotë për “Zërin” se për fat të keq nga Shqipëria në drejtim të Komitetit Nobel ka patur qëndrime, letra që Kadare të mos e marrë këtë çmim.

“Mjafton të përmendim ish ambasadorin shqiptar Kokalari në Suedi, i cili ka lobuar që të mos i jepej Nobeli Kadaresë. Ishte poetja Natasha Lako që ia bëri të ditur qeverisë dhe publikut shqiptar, vite më parë. Nuk besoj se ka ndonjë rast të ngjashëm në botë që një ambasador të lejohet të punojë mbrapsht për vendin e tij. Shteti shqiptar, për turpin e tij, heshti. Por ka patur edhe segmente të caktuara, media, individë dhe grupe që e kanë pranuar me mburrje se i kanë dërguar letra Nobelit, që Kadare të mos e marrë çmimin”, thotë Hudhri, duke shtuar se kjo të kujton thënien që “Shqiptari më lehtë e ka të të falë gjakun se sa suksesin”.

Gëzim Aliu, shkrimtar dhe studiues i letërsisë, nuk shpreson se Kadare do të fitojë çmimin Nobel. “Nuk e besoj që Ismail Kadare do të jetë sivjet fitues i këtij çmimi. Kam përshtypjen që viteve të fundit, Nobeli për Letërsinë po shkon te disa autorë që nuk janë fort të njohur”, ka thënë Aliu për “Zërin”. Ai shprehet se Ismail Kadare ka disa dekada që është ndër shkrimtarët më të mëdhenj që ka bota sot.

ARKATANA

“Pa hyrë në analizë të veprave të tij, sepse kjo do të merrte shumë kohë, e këtu nuk është vendi, shumë studiues, historianë të letërsisë, adhurues të tij dhe lexues në të katër anët e botës e dinë dhe ndiejnë që shkrimtari shqiptar duhet ta marrë Nobelin”, ka thënë Gëzim Aliu, për të shtuar, nuk ka ndonjë arsye pse Kadare nuk do të duhej ta merrte këtë çmim të madh, teksa thotë se nuk sheh arsye pse duhet të jete përzier politika në punët e këtij çmimi, dhe se nuk e beson një gjë të tillë.

Në anën tjetër, Halil Matoshi, shkrimtar dhe publicist, thotë se sa i takon vlerave letrare, Kadare tashmë do të duhej të ishte fitues i Nobelit.

“Në rrafshin e vlerave estetike letrare, unë mendoj se Kadare tashmë e ka siguruar vendin në atë që quhet literaturë e përbotshme dhe në këtë situatë ai kaherë do të duhej të ishte pronar i çmimit Nobel për Letërsi”, ka thënë Matoshi, për të shtuar se çmimi Nobel për Letërsi shpesh i vlerëson edhe aspektet e tjera te shkrimtari. “Aspektin jetësor, ideologjik dhe të bëmat e vetë autorit të veprës letrare, dhe në këtë rast Kadare del si tepër nacionalist dhe racist, prandaj edhe shpesh është anashkaluar nga Akademia Suedeze për të ia ndarë çmimin Nobel”, është shprehur poeti Matoshi, derisa ka thënë se nacionalizmi i Kadaresë dhe në një kohë komunizmi i tij, kanë ndikuar që të mos jetë laureat i Nobelit.

“Lidhja e tij me partizanët e Enver Hoxhës, me komunizmin për një kohë të gjatë dhe nacionalizmi i tij deri në shkallë raciste ka ndikuar që Kadare të mos e fitojë Nobelin”, ka thënë Halil Matoshi.

Si çdo vit tjetër, edhe kësaj radhe është një listë e përbërë nga shkrimtarë të shquar të letërsisë botërore, që shihen si fitues të mundshëm të Çmimit Nobel. Kjo listë fillon me Haruki Murakami, për të vazhduar me Ngũgĩ ëa Thiong’o, Philip Roth, Svetlana Alexievich, Patrick Modiano, Jon Fosse dhe Peter Handke.

Çdo fillim tetor, Akademia Suedeze që ndan Çmimin Nobel për disa fusha, e zgjedh fituesin e Çmimit Nobel për Letërsi, ndërsa gjatë muajit dhjetor, më saktë me datë 10 dhjetor në Stockholm fituesi e pranon çmimin prestigjioz.

Kandidatët të nomimuar për të fituar Çmimin Nobel për Letërsi janë ata të cilët emërohen nga persona të kualifikuar të cilët marrin ftesë nga Komiteti Nobel të paraqesin emra për shqyrtim, kandidatët mund të propozohen edhe nga persona të tjetër të cilët përmbushin kushtet të bëjnë propozime, ndërsa askush nuk mund ta emërojë veten për kandidat për Çmimin Nobel./zeri/