Mobi Casa

Huazimi i këngëve, mani që po vazhdon

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Karrierë të suksesshme, të pëlqyer nga publiku dhe me vlerësime të larta. Janë këto disa nga benefitet që këngëtarët tanë i gëzojnë nga masa e gjerë. Por një numër bukur i madh i këngëtarëve karrierën e tyre e kanë të bazuar në këngë të vjedhura. Mihrije Braha, Ermal Fejzullahu, Loreta Kaqka-Lori, Ryva Kajtazi, Rovena Stefa, Nora Istrefi e Shpat Kasapi janë vetëm disa nga emrat e estradës sonë që në repertorin e tyre kanë tinguj identik me muzikën e këngëtarëve të rajonit.

Në bazë të një kërkimi që ka bërë gazeta Tribuna në ‘Youtube’ na del se një numër i madh i këngëtarëve shijojnë suksese me këngë të cilat janë performuar shumë vjet më parë. Më të pëlqyerit në vendet e tyre por edhe nga një pjesë e kompozitorëve dhe këngëtarëve tanë janë: Aziz, Anelia, Grupi Gjogani, Aca Lukas, Mile Kitic e shumë emra të njohur të estradës ballkanike.

Është për të të ardhur keq kur e sheh një listë kaq të madhe të emrave që kanë marrë pëlqimin e shumë fansave të muzikës së tyre, e sidomos kur nisesh nga ajo që ne posedojmë një melos shumë të pasur të muzikës.

Mihrije Braha: Shpesh jemi viktimë e kompozitorëve

Mbase mund të thuhet që është edhe punë e kompozitorëve kjo e kësaj manie aspak artistike, por kur bëhet fjalë për disa emra të cilët kanë vite të tëra në skenë, atëherë kjo është pak e pa arsyetueshme. Mihrije Braha një këngëtare me një karrierë të gjatë e të suksesshme nuk ka ‘hezituar’ që listës së gjatë të këngëve të veta t’i bashkëngjisë edhe melodi të huazuara.

Kënga e saj shumë e njohur “Më kadal”, ka pasur një sukses shumë të madh ndër ne, mirëpo kjo këngë suksesin e vet e ka shijuar shumë vjet më parë në Serbi, këngë kjo e cila në versioni origjinal quhet “Zapisite mi broj” e interpretuar nga njëri ndër emrat më të njohur të estradës serbe Aca Lukas. Edhe kënga ‘Kur s’e donë s’e donë’ këngë kjo e cila u pëlqye shumë kur u dëgjua për herë të parë nga Mihrija, është pëlqyer shumë vjet më parë në rajon.

Në versionin origjinal kjo këngë titullohet ‘Ne tvoa lubovta’ e kënduar nga Ivena. Por, këngëtarja nuk është në dijeni për këto dy këngë, ajo madje nuk e mohon një gjë të tillë duke thënë që shpesh ndodhë që këngëtarët të bien viktimë e kompozitorëve.

“Unë nuk kompozoj këngë. Unë i blej ato. Edhe sa i përket huazimeve nga rajoni, melodia ballkanike është e ngjashme sepse edhe ne jemi në Ballkan. Unë kam njohuri që kënga ime për Mitrovicën është vjedhur nga këngëtarët serb. E sa i përket këtyre dy këngëve me të vërtet nuk kam njohuri. Nuk jam tu e dit kush prej kujt po vjedh. Shumë shpesh ndodh që kompozitorët të mos tregojnë që këngët i kanë huazuar dhe ne këngëtarët biem viktimë e kësaj”, ka theksuar këngëtarja.

Pjesë e huazimeve edhe Leonora, Ermali e Nora

Uji Dea

As Ermal Fejzullahu nuk i ka anashkaluar tingujt e muzikës së dëgjuar më parë. Është kënga ‘Gjaku i zemrës sime’, një këngë e pritur shumë mirë nga publiku shqiptar, po jo më pak e suksesshme në Bulgari, aty ku edhe e ka origjinën. Kënga në fjalë është e këngëtarit Aziz dhe titullohet ‘Delva’.

Leonora Jakupi një emër tjetër i dëshmuar i skenës sonë këngën e saj ‘hit’ ‘Tash kur s’të kam’ nuk e ka të veten. Kjo këngë është kënduar vjet më parë në Serbi nga këngëtari Mile Kitic e që në versionin origjinal titullohet ‘Cepaj Kidaj’. Ndër të gjithë këta emra të njohur për të gjithë ne, radhitet edhe Loreta Kaqka- Lori e cila po ashtu këngën e saj ‘Hyni në valle’ e ka marrë nga fqinjët tanë. Kjo këngë është kënduar nga Mile Kitic dhe titullohet ‘Milioni Kamioni’.

Lori nuk e ka lënë me kaq pasi që me maninë e ‘vjedhjes’ ka vazhduar më tej. ‘Lëre lëre’ është këngë me tinguj jo shqip, ndërsa për herë të parë është dëgjuar nga këngëtarja Teodora e që titullohet ‘Proba proba’. Nuk mund të lëmë anash edhe këngëtarin Shpat Kaspain pasi që as ai nuk i ka shpëtuar këtij ‘vesi’. Kënga e tij ‘Dashuromë ti’ del që nuk është kënduar për herë të parë nga Shpati. Suksesin e kësaj kënge për herë të parë e ka shijuar Elena Parisheva e që kënga mund të gjendet me emrin ‘Prvata poslednata”.

Më pas kënga ‘Mendo’ e interpretuar nga këngëtarja Ryva Kajtazi, është një këngë bullgare e dëgjuar shumë vjet më përpara nga këngëtari Aziz në bashkëpunim me këngëtaren Gloria të cilët këngën e kanë të pagëzuar me emrin ‘Ne sme bezgresni’. E kritikuar shumë shpesh për kopjim të pamjes së jashtme Nora Istrefi del që edhe kur vjen puna tek meloditë e këngëve nuk heziton të huazojë.

Kënga e saj ‘The one’ ka tinguj identik me këngën fituese të eurovizionit ‘Number one’ që është kënduar nga Helena Paparizou. Duke mos e harruar këtu edhe këngën tjetër e cila nuk është e Norës. Është kjo kënga ‘E jotja s’jam’ që në origjinal titullohet ‘1000 gradusa llubov’ dhe është kënduar nga Dinama.

Ilir Tolaj: Këngëtarët fajtor aq sa kompozitorët

Ndërkaq kompozitori ynë i njohur Ilir Tolaj këtë mani e sheh si gabim të dy anshëm. “Aq sa e kanë gabim kompozitorët e kanë edhe këngëtarët. Fatmirësisht mua nuk më ka ndodhur të ballafaqohem me kësisoj raste, por kam dëgjuar që edhe disa kompozitor shesin melodi të vjedhura. Por edhe këngëtarët e kanë fajin e vet pasi që asnjëherë nuk ndodhë që ata të pyesin për këngën apo kompozimin. Kohëve të fundit kjo është bërë biznes.

Ndodhë që vetë këngëtari vjen edhe kërkon një melodi të ndonjë këngëtari tjetër nga rajoni. Ajo pastaj është edhe deri tek kompozitori a pranon një gjë të tillë. Por si përfundim unë mendoj që faji është sa i kompozitorëve aq edhe i këngëtarëve”, ka deklaruar Ilir Tolaj.

Këto janë vetëm disa nga emrat e njohur të muzikës sonë, të cilët ju sollëm kësaj radhe. Redaksia jonë ka provuar disa herë të kontaktojë me këngëtarët e lartpërmendur të cilëve u janë gjetur këngë të vjedhura, për të ardhur deri tek një deklaratë e tyre nëse kanë qenë apo jo në dijeni për këtë fakt, por nuk ka qenë e mundur pasi që vip-at tanë janë shumë të zënë.