Hoyt Yee: Shumica e re parlamentare ta propozojë Qeverinë e re
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, pas takimit me liderët e partive në Maqedoni dhe kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferi, ka ftuar deputetët që të lejojnë që shumica e re parlamentare ta propozojë Qeverinë e re.
“Është shumë mirë që jam përsëri në Maqedoni dhe jam i lumtur që interesat dhe politikat e Maqedonisë mbeten për integrim, për të pasur një demokraci më të zhvilluar. Shikojmë përpara që të punojmë me të gjithë që të përparojmë në këtë drejtim.
Kohëve të fundit ecja e Maqedonisë nuk ka qenë pozitive dhe e shpejtë siç është dashur të jetë, sidomos në dy vjetët e fundit. Politikanët e Maqedonisë nuk kanë mundur të formojnë Qeverinë e re dhe kjo nuk ka qenë mirë për qytetarët. Ne kemi dënuar sulmet ndaj deputetëve dhe kemi bërë thirrje që ata që janë përgjegjës të dalën para drejtësisë. Ftojmë liderët politikë qw të gjejnë zgjidhje dhe të dalin nga kjo situatë dhe të lejohet që shumica parlamentare të propozojë qeverinë. Ftojmë partitë politike, shoqërinë civile dhe të tjerët të bashkohen dhe të gjejnë zgjidhje”, ka deklaruar Yee. (Telegrafi Maqedoni)


