RCCOLA

Hoxhaj: Zgjedhjet, farsë për të arsyetuar formimin e Asociacionit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në intervistë me Blerim Haxhiajn në emisionin “Zona e Parlamentit” në RTK, ka komentuar politikbërjen e kryeministrit Albin Kurti, teksa ka thënë se nga Marrëveshja e Ohrit vendi ynë nuk do të përfitojë shumë.

“…përveç vendosjes së Kosovës në agjendë për t’u bërë shtet anëtar i Këshillit të Evropës dhe vendimit i cili është përmbyllur që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së, Kosova nuk do të ketë ndonjë përfitim tjetër. E kam përshtypjen se me politikën që po ndjek aktualisht kryeministri Kurti në raport me veriun nuk ka të bëjë shumë me veriun, ka të bëjë më shumë se si të dalë mirë para qytetarëve në jug të lumit Ibër e deri në Dragash e Prizren. Një politikë e cila do ta reintegronte veriun në institucione shtetërore të Kosovës do të duhej të dukej ndryshe”, ka thënë Hoxhaj.

Fundamenti

Ai ka komentuar po ashtu edhe zgjedhjet e mbajtura në katër komunat me shumicë serbe në veri, të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb. Ai tha se ato janë një farsë për ta arsyetuar formimin e Asociacionit.

“Nuk mendoj se këto zgjedhje do të prodhojnë ndonjë realitet të ri dhe do t’i përmbushin interesat bazike të shtetit të Kosovës. Përkundrazi, zgjedhjet janë vetëm një farsë për të arsyetuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe z. Kurti më mirë do të duhej të ishte i sinqertë para qytetarëve dhe t’u thotë atyre se, ne, i zbatojmë Marrëveshjet e Brukselit sepse është në interes të shtetit që të integrohet kjo pjesë e vendit në institucionet e Kosovës, që të themelohet Asociacioni, sesa të bëjë veprime me zgjedhje, siç ka bërë me targa pa një qartësi se çfarë qëllimi dëshiron të arrijë”, ka nënvizuar nënkryetari i PDK-së.