Hidromorava

Hoxhaj: Zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente do ta vendoste Kosovën në një pozitë të rrezikshme

/ 4 minuta lexim

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e ka ripërsëritur qëndrimin se kjo parti nuk e përkrahë Vjosa Osmanin për presidente. Sipas tij janë disa arsye pse Vjosa Osmani, sipas PDK-së nuk duhet të jetë presidente, shkruan Gazeta Express.

Ndër arsyet që ka përmendur Hoxhaj janë se vlerëson se Vjosa Osmani është figurë jo unifikuese dhe përçarëse.

“Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese por skajshmërisht përçarëse. Ajo tani e disa vite ka qenë politikane që karrierën e saj politike e ka ndërtuar përmes përçarjes në skenën politike të Kosovës dhe duke vepruar çdo herë kundër parimit të unitetit në vendin tonë. Ajo është kandidate partiake jo konsensuale — Vetëvendosja, si e para në zgjedhje, nuk po synon ta zgjedh Presidentin me konsensus, ashtu siç do të duhej të ishte në interes të vendit. Ajo është treguar e njëanshme — Gjatë kohës sa ka qenë u.d. e Presidentes, znj Osmani nuk e ka përfaqësuar Institucionin e Presidencës si figurë mbi partiake, por përkundrazi ka përdorë zyrën e Presidencës për të krijuar një parti politike që t’i bashkohet listës së Vetëvendosjes për të garuar në zgjedhje”, ka thënë ai.

Për Hoxhajn, Osmani është një person nën diktatin e Albin Kurtit dhe një person që nuk është institucionaliste por populiste.

“Presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë i pavarur politikisht dhe assesi i varur partiakisht. Znj. Osmani ka dëshmuar se është në diktatin total të kryeministrit Kurti dhe që do t’i shërbej vetëm interesave të tij dhe jo të interesave të shtetit të Kosovës. Vjosa Osmani nuk është institucionaliste por populiste — Ajo ka dëshmuar se nuk e respekton protokollin dhe i mungon kultura minimale institucionale. Në kohën sa ishte u.d. e Presidentes, ajo përdorte protokollin dhe privilegjet e Presidencës në shërbim të agjendës së saj politike partiake, duke keqpërdorur edhe protokollin shtetëror madje për të nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhor”, ka thënë më tutje ajo.

Më tutje Hoxhaj tha se në rast se Osmani vihet në krye të Presidencës, sipas tij pushteti do të koncentrohej në duart e një partie.

RCCOLA

E kandidaturën e Osmanit për president, nga ana e VV-së, Hoxhaj e ka cilësuar si logjikë të bazuar në shantazh.

“ Kandidatura e Vjosa Osmanit është propozim bazuar në logjikën e shantazhit — Në vend se mazhoranca e re të dilte me një kandidat që përfaqëson më së miri të gjithë shoqërinë dhe në dialog me opozitën meqë po i kërkon votat e saj, ajo kërcënon me një krizë të re që janë zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë ai.

“Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte de facto dhe de juro, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin. Kosova do të udhëhiqej nga një politikan autoritar siç është zotëri Kurti dhe partia e tij politike, duke shuar çdo mekanizëm tjetër të kontrollit dhe balancit – ashtu siç do të duhej të ishte në një demokraci parlamentare. Pra, PDK është kundër sistemit njëpartiak dhe e mbështet vetëm një kandidat konsensual për president”, ka thënë ai.

Ndër të tjera Enver Hoxhaj deklaroi se PDK-ja është për një kandidat konsensual që do t’i shërbente shtetit.

“Ne jemi për një kandidat konsensual që do t’i shërbente shtetit, qytetarëve dhe shoqërisë. Nuk mendoj se është detyrë e jona që të dalim me një kandidat për president. I takon shumicës që ta udhëheq një proces të tillë”, deklaroi ai. /Gazeta Express/