Hoxhaj: Thaçi është më i miri, fuqia ime në PDK mbetet e njëjtë

Hashim Thaçi është përzgjedhja më e mirë për tu bërë ministër i jashtëm, vlerëson Enver Hoxhaj i cili edhe pak ditë mbetët ministër i jashtëm. “Jam i lumtur që po ia lë detyrën politikën e jashtme Hashim Thaçit”, ka thënë Hoxhaj duke kujtuar se kryetari i PDK-së ka përvojë në politikën e jashtme pasi ka qenë pjesë e grupit të unitetit gjatë dialogut për statusin si dhe krahas presidentes Jahjaga, Thaçi ka qenë një nga dy njerëzit me të cilët ai është konsultuar gjatë gati 4 vjetëve sa ishte ministër i jashtëm.
Ai po ashtu ka thënë se fuqia e tij si nënkryetar në PDK mbetet e njëjtë edhe pse nuk ka marrë ndonjë post ministror.
Hoxhaj e ka sqaruar gjithashtu që kishte ofertë të bëhet ministër i shtetit apo ministër i arsimit, mirëpo ai nuk e sheh të domosdoshme të mbetët ministër.
“Nuk më duhet që patjetër të mbetëm ministër vetëm që të kem një shofer dhe një asistent”, ka thënë Hoxhaj ndërsa si një nga arsyet pse nuk e ka pranuar postin e ministrit që do ta udhëhiqt dialogun është edhe puna e shkëlqyeshme që e ka bërë me dialogun teknik, Edita Tahiri.
Hoxhaj: Ngërçi e ka penguar procesin e njohjes
Kriza politike që u shkaktua për mbi 5 muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit e kanë penguar procesin e njohjes, ka thënë ministri i jashtëm në detyrë, Enver Hoxhaj i cili ende nuk e ka dorëzuar mandatin e te Hashim Thaçi i cili do e zëvendësojë atë në këtë pozitë.
“Ne kemi pasur informacion që gjatë muajit korrik dhe gusht do të ketë së paku dy njohje që do të mund të zyrtarizohen, mirëpo ngërçi politik e ka penguar procesin e njohjes”, i ka thënë Hoxhaj Klan Kosovës, transmeton Indeksonline.
Hoxhaj nuk ka treguar se cilat vende kanë qenë ato që do ta njihnin Kosovën gjatë verës, mirëpo ka pranuar të zbulojë se nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, më afër vendimit për njohje janë Slovakia, Rumania dhe Greqia. /Indeksonline/