Mobi Casa

Hoxhaj: S’kam rivalitet me Pacollin, por me Mrkicin e Lavrovin

/ 12 minuta lexim
RCCOLA

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për Telegrafin deklaroi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të krenohen që në këtë moment, Kosova është e njohur nga gjysma e vendeve shtete anëtare të OKB-së.

Ai theksoi se presin që në muajt e parë të 2013-së, të arrijnë një numër treshifror të njohjeve, por aktualisht MPJ nuk ka plan të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në OKB.

Hoxhaj në këtë intervistë për Telegrafin ka mohuar rivalitetin me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, duke thënë se rivalitet ka me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Mrkic dhe atë rus, Lavrov, por jo me Pacollin.

Ministri i Jashtëm njoftoi se janë në proces të analizimit rreth qasjes që do të ndjekin për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, por sipas tij, aktualisht nuk kanë plan të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në OKB.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Hoxhaj ka thënë se Kosova është e interesuar që të mbyll kapitullin e errët të historisë me Serbinë, ndërkaq Platformën e Serbisë për Kosovën e ka quajtur dokument armiqësor karshi shtetit të Kosovës.

Ministri i Jashtëm nuk është përgjigjur nëse do t’i ndërpresin bisedimet, në qoftë se Parlamenti i Serbisë miraton përfundimisht Platformën për Kosovën.

Telegrafi: Zotëri ministër, si e vlerësoni vitin 2012 për Kosovën, rrjedhimisht politikën e jashtme të Kosovës?

Hoxhaj: Viti 2012, pas vitit 2008, kur ne shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ka qenë ndër vitet më të suksesshëm që ka pas Republika e Kosovës. Gjatë këtij viti, ne si Ministri e Jashtme kemi pas një agjendë të matshme, precize kohore, një agjendë të saktë javore, mujore e vjetore dhe në bazë të kësaj agjende kemi bërë përpjekje maksimale që gjatë tërë vitit të prezantojmë interesin shtetëror të Republikës së Kosovës, t’i prezantojmë interesat tona politike, ekonomike dhe kulturore në çdo pjesë të botës dhe natyrisht t’i përfaqësojmë edhe interesat e qytetarëve të Kosovës.

Duke pas parasysh se politika e jashtme është rezultat dhe refleksion i zhvillimit të politikës së brendshme, e konsiderojmë si sukses të madh heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare në të cilin ne si MPJ kemi pasur një rol kyç. Një e arritur tjetër e politikës së jashtme është marrja e Raportit të studimit të fizibilitetit e cila ka qenë një iniciativë të cilën unë e kam sensibilizuar dhe iniciuar. Ky raporti i fizibilitetit dhe rekomandimet tij që ne mund të nënshkruajmë Marrëveshjen e stabilizim asocimit është realisht marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian që mund të konsiderohet një arritje shumë e rëndësishme e Kosovës drejtë integrimeve evropiane. Po ashtu vlen të theksohet procesi i njohjeve të shtuara që ka marr Republika e Kosovës, proces që ka vazhduar gjatë gjithë vitit dhe si rezultat i të cilit kemi marr 13 njohje të reja brenda këtij viti.

Telegrafi: Ministër, po përfundon edhe një vit, Kosovën e kanë njohur disa shtete. A kanë dal parashikimet e juaja për numrin e njohjeve këtë vit?

Hoxhaj: Në përputhje me strategjinë e prezantuar një vit më parë, e cila synon që ta përmbyll procesin njohjeve për Kosovën, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të krenohen që në këtë moment, Kosova është e njohur nga gjysma e vendeve shtete anëtare të OKB-së. Ky është një rezultat shumë i rëndësishëm. Strategjia dhe pritjet tona reale janë që në fillim të vitit 2013, ne të arrijmë një numër tre shifror gjë që do të jetë një fuqizim i madh i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Me rëndësi është që procesi po vazhdon dhe do të vazhdojë.

Telegrafi: Megjithatë, nuk ka shumë njohje? Pse?

Hoxhaj: Siç e thashë më parë, Kosova tashmë është e njohur nga më shumë se gjysma e vendeve, shtete anëtare të OKB-së. Ky është një rezultat jashtëzakonisht i mirë dhe ne jemi në një proces të vazhdimit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por me rëndësi është fakti që gjysma e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Pra, Kosova gjatë këtij viti ka shënuar një progres shumë të madh, pasi që çdo muaj kemi marrë nga një njohje dhe në fund të vitit edhe Pakistani ka njohur shtetin e Kosovës, duke e quar në 13 numrin e njohjeve për këtë vit dhe këto pasqyrojnë një gjeografi globale të njohjes së shtetit të Kosovës.

Telegrafi: Sa ka koordinim ndërmjet jush dhe zëvendëskryeministrit Pacolli? Pse shpesh në kumtesa, si në ato të punës suaj, thuhet “si rezultat i punës së Hoxhajt etj…., ndërsa në ato të Pacollit, “si rezultat i punës së Pacollit…. mos po tentoni secili nga ju t’i përvetësoni meritat?

Hoxhaj: E kam thënë disa herë se z. Pacolli ka kontribuar në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën edhe në kohën sa ka qenë në opozitë, por edhe si zëvendëskryeministër. Unë asnjëherë nuk e kam shikuar pozicionin tim në rivalitet me z. Pacolli, sa i takon lobimit për rritjen e numrit të njohjeve. Në këtë aspekt ndonjëherë mbase ka pasur keqkuptime, por në vazhdimësi unë kam qenë plotësisht i hapur për bashkëpunim me z. Pacolli. Pra, nuk ka pasur asnjëherë rivalitet nga pozicioni im. Në procesin e njohjeve për Kosovën, unë kam rivalitet me Mrkiqin dhe Lavrovin, e jo me z.Pacolli.

Uji Dea

Telegrafi: Sa është saktë numri i njohjeve të Kosovës dhe a ka gjasë që Kosova të anëtarësohet në OKB?

Hoxhaj: E ritheksoj se tashmë Kosova është e njohur nga gjysma e vendeve shtete anëtare të OKB-së dhe se ne presim që në përputhje me Strategjinë dhe aktivitete që do t’i zhvillojmë, që në fillim të vitit 2013, që në muajt e parë të arrijmë një numër tre shifror të njohjeve. Kjo do të jetë një fuqizim i madh i subjektivitetit ndërkombëtar, për të krijuar një momentum të ri politik dhe një efekt psikologjik ndërkombëtar për shtetin e Kosovës.
Aktualisht jemi në proces të analizës rreth qasjes që duhet të ndjekim për anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara, dhe për një vendim të tillë ne do të konsultohemi paraprakisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe partnerë e tjerë euroatlantik, të cilët na kanë mbështetur masivisht në vitet e kaluara.

Telegrafi: A mund të anëtarësohet Kosova gjatë 2013, dhe në çfarë cilësie, si anëtar vëzhgues apo?

Hoxhaj: Siç e thashë, aktualisht jemi në proces të analizimit rreth qasjes që do të ndjekim për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Kosovën deri më tash e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve të botës dhe janë rritur gjasat që të jemi anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky vendim është një vendim i rëndësishëm strategjik për ne dhe si i tillë do të analizohet dhe vetëm pas një analize të thellë do të shihet se a duhet të aplikohet apo jo. Aktualisht nuk kemi plan të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve Bashkuara.

Telegrafi: Ministër, të flasim për një temë tjetër. Dialogu mes Kosovës e Serbisë, si mendoni se do të vazhdohet më tutje?

Hoxhaj: Kosova është e interesuar që të mbyll kapitullin e errët të historisë me Serbinë dhe të krijojë një relacion normal dhe një bashkëpunim bilateral. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në këtë fazë synon të krijojë një relacion normal mes dy shteteve të pavarura. Kjo është ajo faza e parë në të cilën mund të fillon një relacion normal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndryshe, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndodh kur vendet do të njohin njëra-tjetrën, do të vendosin marrëdhëniet diplomatike dhe kjo do të jetë edhe përmbyllja e kaptinës së errët të relacioneve Kosovë-Serbi, të cilat kanë qenë pasojë e sundimit të egër serb, e shtypjes, e aparteidit dhe gjenocidit.

Telegrafi: Brukseli në dhjetor nuk dha vendimin për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocim. A duhet Kosova të vë më shumë kushte Brukselit, realisht të kushtëzojë bisedimet?

Hoxhaj: Konkludimet e BE-së kanë qenë pa dyshim një lajm i papritur për Kosovën, pasi që Kosova ka bërë gjatë vitit 2012 një progres të jashtëzakonshëm dhe ky progres ka qenë i matshëm dhe konkret, ashtu siç e ka kërkuar studimi i fizibilitetit. Kosova është transformuar në një shtet dhe shoqëri demokratike, multietnike dhe evropiane. Megjithatë, edhe dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, është një argument i fuqishëm i Kosovës jo vetëm në rrafshin evropian por edhe në kontakt me vendet jashtë Evropës.

Telegrafi: A pritet të negociohet për veriun, gjegjësisht a po tejkalohet plani Ahtisaari, a ka mundësi për ndonjë status special për veriun. Në fakt, a do të pranonte Qeveria?

Hoxhaj: Siç e thashë, Kosova është e interesuar që të mbyll kapitullin e errët të historisë me Serbinë dhe të krijojë një relacion normal dhe një bashkëpunim bilateral. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në këtë fazë synon të krijojë një relacion normal mes dy shteteve të pavarura. Por, siç e kemi thënë në vazhdimësi, në këtë proces nuk do të ketë kurrfarë aranzhmani apo statusi special, për pjesë të caktuar të Kosovës dhe do të kemi një sistem të unifikuar të doganave dhe tatimeve. Kosova është e gatshme të ndërmarrë hapat e nevojshëm për riintegrimin e serbëve të veriut në jetën institucionale ekonomike, sociale e publike, por nuk do të ketë kurrfarë statusi special apo ndonjë aranzhman tjetër jashtë Planit Ahtisaari për veriun.

Telegrafi: Cili është qëndrimi juaj për Platformën serbe për Kosovën? Çka nëse parlamenti serb e miraton përfundimisht dhe çka nëse qeveria serbe insiston në këtë platformë, do të tërhiqet qeveria nga bisedimet?

Hoxhaj: Sa i përket platformës serbe, kemi të bëjmë me një dokument me përmbajtje raciste për popullin e Kosovës, dokument që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Kjo platformë është një prodhim i një mendje raciste e cila ka një traditë të gjatë në Serbi. Prandaj për ne ky dokument është dokument armiqësor karshi shtetit të Kosovës, është një platformë antievropaine, e cila e kërcënon paqen, e kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Telegrafi: A jeni përcaktuar për emrat e mundshëm që të përfaqësojë Kosovën në Beograd?si do të jetë ky përfaqësim?

Hoxhaj: Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është në proces të shqyrtimit të kandidatëve potencialë të cilët do të mund të emëroheshin si përfaqësues të Republikës së Kosovës në Serbi. Kandidatët do të përzgjidhen duke u bazuar në aftësitë profesionale, njohuritë gjuhësore, njohuritë për proceset, rrethanat, mentalitetin dhe zhvillimet politike në Serbi. Përfaqësuesi i Republikës së Kosovës në Serbi do të jetë një person i cili e ka rangun e Ambasadorit, i cili do të ketë përgatitjen e nevojshme profesionale dhe politike dhe i cili jo vetëm që do ta përfaqëson Kosovën në Beograd, por edhe do të na informojë në mënyrë të rregullt për të gjitha zhvillimet që do të ndodhin në Serbi. Kandidati i përzgjedhur do të merret edhe me çështje ekonomike e tregtare, si dhe me shërbime konsullore. Përfaqësuesi i Republikës së Kosovës në Beograd do të ketë gjithsesi rang ambasadori dhe do të jetë pjesë e korit diplomatik të akredituar në Beograd.

Telegrafi: Cili do të jetë fokusi i punës për 2013. Keni ndonjë synim që do të donit t’ia arrinit?

Hoxhaj: Në vitin 2013 do të bëjmë përpjekje maksimale që të punojmë shumë, që të ofrojmë një dinamikë të madhe në politikën e jashtme, që të përfaqësojmë, prezantojmë dhe promovojmë Kosovën në çdo cep të botës. Fokus i veçantë i MPJ-së do të jetë avancimi i agjendës shtetërore integruese euroatlantike si dhe përmbyllja e procesit të njohjeve. Por ne kemi edhe prioritete të tjera që lidhen me fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, sepse politika e jashtme nuk guxon të reduktohet vetëm në disa segmente. /Telegrafi/