Fundamenti

Hoxhaj: Shkëmbimi i territoreve nuk i përket së ardhmes

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një interviste për revistën gjermane ES&T (Europäische Sicherheit & Technik), ka thënë se për Kosovën integrimi në Bashkimin Evropian është fondamental.

Ai ka theksuar se ky proces është themeli i modernizimit dhe transformimit pozitiv të shoqërisë.

“Ne mendojmë se një Evropë e bashkuar është më shumë se sa një projekt ekonomik. Për ne është po ashtu një projekt politik, që i shërben paqes, zhvillimit dhe bashkëpunimit si dhe ekzistencës së përbashkët të shteteve. Gjeografikisht dhe kulturalisht ne i takojmë Evropës. Ne duam që edhe politikisht dhe ekonomikisht të bëhemi pjesë e Evropës”, citohet të ketë thënë Hoxhaj.

Ministri Jashtëm i Kosovës gjatë intervistës ka folur gjerësisht edhe për proceset e tjera të rëndësishme në Kosovë dhe rajon.

Hoxhaj ka thënë se marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përgatit rrugën për një proces të pajtimit politik dhe shoqëror ndërmjet dy shteteve fqinje, garanton paqe dhe stabilitet në rajon si dhe hap dyert për integrim në Bashkimin Evropian.

Fundamenti

“Vizioni ynë për të ardhmen është vendimtar që na dërgon përpara. E rëndësishme është tani që kjo marrëveshje të implementohet shpejt”, ka thënë Hoxhaj.

Ai po ashtu ka shprehur bindjen se, ashtu siç parashihet në marrëveshjen e arritur, strukturat paralele të Beogradit do të shpërbehen nga veriu i Kosovës dhe që pastaj qytetarët serbë atje të përjetojnë një ndryshim pozitiv.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka hedhur poshtë çdo mundësi për shkëmbime të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ky diskutim dhe tendencat e tjera janë të tejkaluara dhe nuk i përkasin të ardhmes.

Hoxhaj ka folur edhe për progresin në Kosovë gjatë pesë vjetëve të pavarësisë, duke theksuar se janë shumë parametra që tregojnë se Kosova është një storie e suksesit. /Telegrafi/