Uji Dea

Hoxhaj : Serbia, e paaftë për të kontrolluar huliganizmin dhe urrejtjen ndaj mysafirëve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Jam i kënaqur që kam pas 25 vitesh erdha në Beograd. Kjo tregon se sa e vështirë ishte rruga për të kapërcyer dallimet tona dhe vështirësitë në komunikim, thotë ministri i Jashtëm në detyrë, Enver Hoxhaj.

“Tre vjet më parë, kjo vizitë ishte e paimagjinueshme. Prania e ministrit të Punëve të Jashtme në Serbi, dëshmon sovranitetin e Kosovës dhe se Kosova është trajtuar në mënyrë të barabartë në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar. Si ministër i Jashtëm, jam avokat dhe promotor i dialogut si instrument kryesor për marrëdhëniet e mira fqinjësore”, tha Hoxhaj për Danas, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të zgjas pa mbarim. Ndërsa, thotë se për Kosovën qëllimi është paqja dhe marrëdhëniet diplomatike me Serbinë.

Në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi, të 14 tetorit në Beograd, thotë se nuk i takon politikanëve që ta komentojnë futbollin nga perspektiva politike.

“Ndeshja e futbollit midis Shqipërisë dhe Serbisë konfirmoi nevojën për pajtim në mes të shoqërive tona. Si rezultat i reagimeve që vijnë kryesisht nga Serbia, për shembull, ne kemi parë ngjarje shumë shqetësuese, të tilla si djegia e furrave shqiptare në Serbi, rrahje të shqiptarëve dhe sulme ndaj xhamive në Serbi. Ne e dimë se ruajtja e legjitimitetit në sytë e qytetarëve shpesh shtyn udhëheqësinë që të reagojë, por kur është fjala për nacionalizmin, identitetin dhe simbolet, është e rëndësishme që elita politike të jetë e kujdesshme në reagimet e tyre. Ndaj, ngjarjet e fundit tregojnë se ne nuk duhet të përqendrohemi vetëm në normalizimin e marrëdhënieve politike, por duhet të punojmë për një proces sistematik dhe efektiv të pajtimit të shoqërive tona”.

Fundamenti

I pyetur për “Shqipërinë e Madhe”, Hoxhaj tha se shqiptarët duan të jetojnë në një rreth më të drejtë, më të ndershëm dhe më të pasur, si në nivelin e brendshëm ashtu edhe rajonal.

“Kosova është shtet i pavarur, shumetnik dhe i pavarur, dhe sa më herët që e njeh Serbia Kosovën, do të ketë më pak diskutime dhe polemika për çështjet që janë jehonë e së kaluarës”.

Në lidhje me atë se zyrtarët serbë kërkojnë që Shqipëria të kërkojë falje për ndeshjen e 14 tetorit, Hoxhaj thotë se politikanët, mediat dhe subjektet tjera të Serbisë kanë punuar në mbrojtje, duke fajësuar dronin dhe reagimin tonë si shkak i problemeve të ndeshjes.

“Kushdo që në mënyrë kritike vlerëson zinxhirin e ngjarjeve para lojës dhe para shfaqjes së dronit në terren, e kupton se palës shqiptare i janë mohuar shumë gjëra, si tifozët, ndërsa kishte presione para lojës. Mbi të gjitha, incidentet dhe provokimet që ndodhën gjatë ndeshjes dhe që shkatërruan ndeshjen, tregojnë paaftësinë për të kontrolluar huliganizmin dhe urrejtjen ndaj mysafirëve. Nuk ka nevojë për falje nga pala shqiptare, sepse ata nuk janë fajtorë për atë që ndodhi në terren. Kjo është përgjegjësi e autoriteteve serbe që para ligjit të sjellin devijuesit që u futën në terren dhe sulmuan lojtarët shqiptarë”. /Telegrafi/