UBT

Hoxhaj: Rusia e ka përdorur çdo herë Kosovën për ta luftuar rendin ndërkombëtar, tash po e bllokon në procese integruese

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, flet për librin e tij “Përplasje e madhe ( Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin), agresionin e Rusisë mbi Ukrainën, tendencat e saj për Ballkanin Perëndimor dhe bllokadat që po ia vendos Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Në këtë intervistë, Hoxhaj thotë se Rusia po e bllokon Kosovën të jetë anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përmes vetos së saj në Këshill të Sigurimit.

Dhe kjo, sipas tij, ka prodhuar pasoja të mëdha siç është dialogu me Serbinë.

“Nëse Kosova do të ishte në OKB ne në 11 vitet e fundit nuk do ta diskutonim temën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, deklaron Hoxhaj.

Ai tutje pohon se në vazhdimësi Kosova dhe zgjerimi i NATO-s që gjoja prezanton kërcënim për Rusinë, janë përdorur nga kjo e fundit për ta luftuar rendin ndërkombëtar liberal.

“Prej kohës kur kam qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Vjenë vitet 2006-2007 e kam parë që qëndrimi i Rusisë në raport me Kosovën nuk është një keqkuptim e as mosmarrëveshje me Perëndimin, por mendim dhe veprim gjeopolitik i strukturuar”.

“Prej asaj kohe, kam ndjekur në detaje, kam lexuar libra, artikuj shkencorë dhe kam lexuar deklarata e qëndrimet e tyre”.

Enver Hoxhaj gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova

Ndërsa, shton se në tetor të vitit të kaluar (2021), ka qenë i bindur se do të ketë agresion mbi Ukrainën dhe se lufta atje do të ketë ndikim edhe në Ballkan e Kosovë.

Qe nga atëherë ish-kryediplomati thotë se ka përcjellë zhvillimet derisa në maj publikoi librin “Përplasje e madhe”, i cili sipas tij, ua bën të q1artë shqiptarëve se çfarë gjeopolitike përdor Rusia në raport me Kosovën dhe shqiptarët.

Eco Higjiena

“Aktualisht po ndodh një luftë në Ukrainë, e cila kemi menduar se i takon librave të historisë, por është kthyer në realitet politik të Evropës. Rendi evropian është qarë në mes. A do ta fitojë luftën kundër Rusisë Perëndimi dhe Ukraina varet se a do të shpërbëhet ky rend ndërkombëtar. Ndërsa, në raport me Ballkanin, Rusia ka hapur një front të dytë. Dhe ky front është i luftës hibride që përfshinë të gjitha llojet e mundshme të luftës. Kjo përplasje e madhe po ndodh edhe në Ballkan”.

“Prej kohës kur kam qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Vjenë vitet 2006-2007 e kam parë që qëndrimi i Rusisë në raport me Kosovën nuk është një keqkuptim e as mosmarrëveshje me Perëndimin, por mendim dhe veprim gjeopolitik i strukturuar”.

“Në tetor të vitit të kaluar kam qenë i bindur se do të ketë agresion mbi Ukrainë dhe se lufta atje do të ketë ndikim në Ballkan e në Kosovë. Pastaj në maj kam nxjerrë një libër që shqiptarët ta kenë të qartë se çfarë gjeopolitike ndjek Rusia në raport me Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin”.

Hoxhaj tutje shton se Rusia prej vitit 1998-1999 është shpërfaqur si rival i Perëndimit dhe ka përdorur temën e Kosovës si për ta thelluar hendekun mes saj dhe Perëndimit.

“Ndërsa, duke u fuqizuar dhe duke rritur ndikimin politik është shndërruar në armik të Perëndimit dhe sigurisht e ka keqpërdorur dhe e ka manipuluar rastin e Kosovës duke pretenduar një analogji të rreme për situatat ku rusët e kanë përdorur intervenimin ushtarak, pushtimin klasik, qoftë në Gjeorgji, qoftë në Krime, qoftë në Ukrainë”.

“Situatat atje dhe në Ballkan sigurisht ndryshojnë, mirëpo Rusia ka përdorur një pretekst gjoja për të legjitimuar rolin e saj në Evropën Lindore dhe së fundmi për ta luftuar rendin ndërkombëtar. Prej fillimit tema e Kosovës dhe zgjerimi i NATO-s gjoja se po prezanton kërcënim për Rusinë, janë përdorur nga Rusia për ta luftuar rendin ndërkombëtar liberal”.

Enver Hoxhaj gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova

Në fund, Hoxhaj thekson se çdo qytetar i Kosovës dhe shqiptar në Ballkan, duhet ta kuptojë gjeopolitika ruse në raport me Ballkanin është më shumë cariste se sa sovjetike.

“Putini dhe Perëndimi jetojnë në dy shekuj të ndryshëm. Rusia jeton në shekullin 19. Ata e shohin botën si një fuqi reale e shekullit 19 dhe Ballkanin si një fushëbetejë, të cilën duhet të kenë rol dhe ndikim”, përfundon ai. Hoxhaj në këtë intervistë ka folur edhe për zhvillimet politike në vend dhe dialogun Kosovë-Serbi. /Telegrafi/