Hoxhaj: Qeveria dështoi në organizimin e procesit mësimor, do të kemi një gjeneratë të humbur
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga deputeti Sejdi Hoxha dhe anëtari i kryesisë, Muzafer Shala, kanë vizituar sot Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
Gjatë kësaj vizite, Hoxhaj ka shprehur shqetësimin e tij për menaxhimin dhe organizimin e procesit mësimor nga qeveria gjatë pandemisë.
“Ajo që ka ndodhur në gjysmëvjetorin e parë e ka premisën e parë dhe të qartë që mund ta kemi një gjeneratë të humbur në Kosovë, për shkak të dështimit të qeverisë që ta ketë një plan të qartë kohor se kur fillon një vit shkollor, kur përfundon një gjysmëvjetor, çfarë masash duhet të ndërmerren që procesi mësimor të jetë i planifikuar mirë.”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, ndërprerja e mësimit para kohe ishte një vendim jo i drejtë nga qeveria.
“Ju e dini që e kanë pasur një plan A, B dhe C dhe tash kanë dalur në opsionin D dhe e kanë ndërprerë mësimin para se të përfundojë procesi mësimor, sikur se është paraparë me kurikulën e vitit përkatës. Këto shqetësime i ngrisim për këtë arsye.”, ka thënë kryetari në detyrë i PDK-së.
Ai ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që tash gjatë një muaji pushim të merret seriozisht që kur të fillojë pjesa e dytë e vitit shkollor ta dijnë, që nëse rritet numri i rasteve me të infektuar në Kosovë, atëherë të jenë të përgatitur për mësimin online.
“Këtu duhet që të kemi një mendim të plotë se çfarë duhet të ndodhë në sistemin tonë shkollor në kuptimin e digjitalizimit, të pajisjes me kompjuterë të të gjitha shkollave të Kosovës dhe qasjes në internet. Këto tema në vitin 2020 nuk janë më fizikë bërthamore, se të ketë internet dhe pajisje teknologjike kudo dhe të ketë mësimdhënës, të cilët mund ta përdorin teknologjinë për të ofruar pëmbajtje arsimore nuk është siç ka qenë para 20 vitesh.”, ka thënë Hoxhaj.


