Fidanishtja

Hoxhaj për Kurtin: Pas 14 shkurtit, nuk do të kemi kryeministra anti-amerikan

/ 2 minuta lexim

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj bashkë me Memli Krasniqin kanë prezantuar sonte Planin e Rimëkëmbjes së politikës së jashtme dhe të promovimit të Kosovës.

Ai tha se për dallim prej Rambouillet e Vjenës, ku ishin marrë vendime në favor të Kosovës për çlirimin dhe pavarësinë e vendit, si rezultat i një diplomacie të mençur, tani në Kosovë kemi politikanë antiamerikanë e autokratë si Albin Kurti, i cili nuk e merr seriozisht politikën e jashtme.

Hoxhaj goditi Kurtin duke thënë se kurrë nuk do ta kishte menduar që Kosova do ta kishte një kryeministër që tallet me Shtëpinë e Bardhë duke i përmendur thikat mbi hartën e Kosovës dhe që i linçon e ofendon zyrtarët amerikanë.

Hidromorava

“Kjo është ideologjia e një autokrati si Albin Kurti, e cila në thelb është antiamerikane. Ai gënjen kur thotë se ishte vetëm kundër Presidentit Trump. Ai ka qenë kundër të gjithë presidentëve amerikanë. Kundër Clintonit, duke e kundërshtuar Marrëveshjen e Rambouillet. Kundër Bushit, duke e kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit. Kundër Obamës, duke e kundërshtuar Demarkacionin me Malin e Zi. Sepse, ai ishte dhe është kundër Amerikës.”, tha Hoxhaj.

Mirëpo, sipas Hoxhajt PDK-ja do t’i prijë një aleance me qytetarin, për të mos lejuar që vendi të rrezikohet sërish nga autokratë si soji i Kurtit.

“PDK-ja do t’i prijë një aleance me qytetarin, për të mos lejuar kurrë që Kosova të ketë një Kryeministër që ofendon Shtëpinë e Bardhë dhe zyrtarët e saj. Kosova përjetësisht do të jetë mirënjohëse ndaj miqve amerikanë. Për dorën e ndihmës që na zgjatën atëherë kur ne kishim më së shumti nevojë. Për ndihmën në çlirimin e vendit. Për ndihmën në pavarësimin e vendit.”, tha ai.