Hoxhaj për Daqiqin: Nuk është kockë e fortë për mua

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se shumë shpejt do të kemi njohje të reja, pasi disa qeveri tashmë kanë marrë vendim dhe pritet që të konfirmohen përfundimisht nga parlamentet apo presidentët e tyre. Komentet i ka bërë në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.
Duke komentuar kundërfushatën e Serbisë për njohjet, Hoxhaj ka thënë se për dallim nga periudha e pas pavarësisë, tani pozicioni kosovar është dukshëm më i avancuar ndërkombëtar dhe se këtë e dëshmon procesi i vazhdueshëm i njohjeve.
Sa i përket njohjeve të mundshme nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe Vatikani, Hoxhaj ka thënë se në një të ardhme të afërt do të vijnë ato njohje, ndërsa njohja nga Vatikani është më shumë se njohje për shkak se Selia e Shenjtë është referencë kulturore për shumë popuj dhe vende nëpër botë.
I pyetur për emërimin e ministrit të ri të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daciq, kryediplomati kosovar ka thënë se atij dhe lidershipit aktual të Serbisë u duhet shumë punë për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar pasi nuk e kanë mbështetjen ndërkombëtare.
“Lidershipi i ri në Serbi ka një të kaluar të rëndë. Krejt përpjekja e tyre është për ta përmirësuar imazhin e tyre të dëmtuar. Nuk kanë mbështetje të madhe ndërkombëtare. Daciq nuk është kockë e fortë për mua. E kam të lehtë me të dhe në ndonjë nga paraqitjet e mija vetëm do të ia kujtoja citatet e tij në vitet 90-ta”, ka thënë Hoxhaj.