Hoxhaj pas deklaratave raciste të Brnabiç: Jam i zhgënjyer me mosreagimin e BE-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka shprehur zhgënjimin e tij me Bashkimin Evropian, për mos-reagimin ndaj deklaratave raciste të bëra dje nga kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ndaj popullit të Kosovës.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic në një konferencë të përbashkët për media me ambasadorin e BE-së në Beograd, tha se shqiptarët e Kosovës “janë të dalë nga mali”. Edhe pse pati shumë reagime nga shumë ndërkombëtarë dhe personalitete rajonale, askush nga Bashkimi Evropian nuk bëri ndonjë reagim.

Hoxhaj tha se është zhgënjyese që BE-ja qëndron dëshmitare e deklaratave të tilla dhe nuk reagon fare. Përmendi edhe faktin që në pakon e zgjerimit të BE-së, Serbia është e renditur në grupin e parë së bashku me Malin e Zi.

“Në një konferencë shtypi me Ambasadorin e BE-së kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic bën komente raciste kundër Kosovës. Ajo tha se shqiptarët “janë të dalë nga mali. I zhgënjyer me mosreagimin e BE-së kur shteti që e kanë vendosur në grupin e parë në pakon e zgjerimit përdorë gjuhë të tillë ndaj Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS