RCCOLA

Hoxhaj-opozitës: Po thoni që të gjithë jeni për dialog, atëherë të merremi vesh për platformë të përbashkët

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, dhe zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se koalicioni qeverisës është në rregull me gjithcka që u tha në seancë nga të gjitha palët, por theksoi se problem është se cka do të bëjmë më tutje, dhe në cfarë drejtimi do ta lëvizim vendin. Hoxhaj tha se seanca e sotme mund të jetë një nismë e re për ecurinë e dialogut dhe është e domosdoshme që partitë të merren vesh për platformë të përbashkët.

“Po thoni që të gjithë jeni për dialog, por a doni të merrni pjesë në process, a doni të prodhojmë veprim të ri politik apo do të mbesim në nivel deklaratash, sic kemi qenë deri më tash. Konsensusin politik prej këtij Kuvendi, duhet ta bartim në Bruksel dhe ta forcojmë pozicionin negociues të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj tha se kriza e besimit mes partive politike nuk varet nga temat sa varet nga pozita pushtet – opozitë në të cilën gjenden përfaqësuesit e partive politike. “Kushdo që është në opozitë ka krizë besimi me ata që janë në pushtet”, tha Hoxhaj.

KKVITI

Sa i përket marrëveshjes me Serbinë, Hoxhaj tha se do të nënshkruhet marrëveshje finale e cila do të duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe atë të Serbisë. Kjo marrëveshje, sipas Hoxhajt, do të shkojë edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe e njëjta do ta bëjë Kosovën anëtare të kësaj organizate.

Duke folur për zbatimin e marrëveshjes, Hoxhaj tha se më shumë varet nga konteksti ndërkombëtar sesa nga raportet mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj, theksoi se është jetike që të kapet momentum tani, para se të zhvendoset vëmendja dhe të mbesim prapa me këtë proces.