Hoxhaj në SHBA: Washingtoni adresa e parë politike e Kosovës

Kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se për Kosovën adresa e parë e politikës mbetet Washingtoni. Ka treguar se atje është folur për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtar, fqinjësia konstrukive rajonale si dhe zbatimi i MSA-së dhe liberalizim i vizave.
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar një takim me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Braian Yee.
“Qëllimi i vizitës ka qenë për të koordinuar ngushtë prioritet e politikës së jashtme të Kosovës dhe për të biseduar për zhvillimet e brendshme në vende, në rajon dhe më gjere”, ka thënë ministri Hoxhaj në një prononcim për Express.
Hoxhaj është i bindur se Washingtoni është partneri më strategjik dhe global i Kosovës dhe adresa e parë politike e saj.
Stabiliteti politik si dhe thëllimi i reformave të brendshme, drejt zhvillimit ekonomik, sjelljes së investitorëve të huaj, krijimi i vendeve të reja të punës së bashku me bashkëpunimin e ngushtë ekonomik kanë qenë tema të bisedave në mes Hoyt Yee dhe Hoxhajt.
“Fokusi kryesor i takimi ka qenë sa i takon temave dhe pritjeve të Kosovës në politikën e jashtme, ku është folur për njohjen diplomatike, anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtar, fqinjësia konstrukive rajonale si dhe zbatimi i MSA-së dhe liberalizim i vizave. Një vëmendje i është kushtuar krijimit të një marrëdhënie kontraktuale me NATO’n si një kapitull i ri i bashkëpunimit”, ka shtuar ai.
Kjo vizitë sipas tij ka edhe simbolikën e saj politike për të treguar se asnjë marrëdhënie ndërshtetërore që ka Kosova nuk është më e rëndësishme sesa lidhja e veçantë me Amerikën.
Hoxhaj në Washington ka takuar edhe personalitete tjera të jetës publike, diplomat dhe politikan amerikan. Ditë më parë, Hoxhaj kishte marrë postin e ministrit të Punëve të Jashtëm, të cilin e ka ushtruar edhe në periudhën 2011-2014.