Fundamenti

Hoxhaj në Salzburg: BE ta njohë progresin dhe t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në Salzburg të Austrisë, ku po merr pjesë në Konferencën e 14 për Rajonet dhe Qytetet Evropiane.

Në fjalën e tij në këtë konferencë, zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se Bashkimi Evropian duhet që përmes vendimit në Këshillin Evropian ta njohë dhe pranojë përmbushjen me sukses nga ana e Kosovës të të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave.

“Megjithë faktin se është dashur t’i përmbushim 95 kritere për liberalizim, në krahasim me vendet e tjera të rajonit të cilat kanë pasur rreth 45, Kosova suksesshëm ka bërë plotësimin e secilit kriter. Bashkimi Evropian duhet ta njohë dhe ta pranojë progresin e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe t’i jap dritën e gjelbër lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Fundamenti

Zëvendëskryeministri ka folur edhe për raportin e Bashkimit Evropian me shtetet e rajonit, ku ka përmendur mosnjohjen e progresit të shënuar të Shqipërisë dhe Maqedonisë nga ana e BE-së, dhe se si kjo mos-njohje dhe mos-shpërblim i punës, ka pasur pasoja të dukshme.

“Bashkimi Evropian duhet të punojë që ta mbajë gjallë optimizmin dhe frymën evropiane në Ballkan. Mos-njohja dhe mos-shpërblimi i progresit të Shqipërisë, dhe në veçanti të Maqedonisë ka shënuar pasoja. Rasti konkret është, siç e keni parë të gjithë, votimi i djeshëm në referendumin për Marrëveshjen e Prespës në Maqedoni”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj tha se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në BE nuk është vetëm zgjerim i unionit, por edhe konsolidim i tij meqë gjeografikisht, kulturalisht dhe historikisht, Ballkani është pjesë e Evropës. /Telegrafi/