Eko Higjiena

Hoxhaj në Bruksel, insiston në heqjen e vizave

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me ministrat e jashtëm të rajonit kanë marrë pjesë në një seancë diskutimi në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Në fjalën e tij para mbi 100 deputetëve, Hoxhaj ka folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke thënë se përmbyllja e negociatave për MSA-në këtë vit ishte një arritje e madhe për të dyja palët. Më tej, ka insistuar se është koha e fundit për të marr një vendim për vizat dhe nevojën që shteti i ri të njihet nga pesëshja evropiane.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Hoxhaj ka deklaruar se qeveria e re do ta vazhdoj menjëherë dialogun, se në të do të diskutohen tema të reja dhe që duhet të përfundoj me Traktatin e Paqes.

“Së bashku me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor sot bashkëbiseduam me deputetë të Parlamentit Evropian, para të cilëve ngrita nevojën që qytetarët e Kosovës të lëvizin sa më parë lirshëm në zonën Schengen dhe që të nënshkruhet MSA-ja. Po ashtu, ngrita edhe nevojën e njohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, pasi kjo do të nënkuptonte fuqizimin e vet BE-së dhe fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, njofton MPJ.

Eco Higjiena

Hoxhaj së bashku me ministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor, ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për gazetarë duke u përgjigjur në interesimin e tyre veçmas për dialogun dhe vizat.

Gjatë ditës, kryediplomati kosovar ka takuar kryetarin e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Elmar Brok, të cilin e ka njoftuar për zhvillimet në Kosovë dhe e ka falënderuar për mbështetjen e Parlamentit Evropian.

Po ashtu, Hoxhaj ka takuar ndaras edhe kryesuesin e delegacionit të PE-së për Kosovën dhe Bosnjën, Tonino Picula, ku temë diskutimi ka qenë perspektiva evropiane e vendeve të rajonit dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Hoxhaj të mërkurën pritet të marrë pjesë në takimin e Koalicionit kundër ISIS në NATO, të thirrur nga Sekretari Amerikan, John Kerry.