Hoxhaj lavdëron Shpend Ahmetin

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, gjatë një interviste në emisionin “Konfidencë” të Klan Kosovës, ka vlerësuar lart angazhimin dhe rezultatin e arritur nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, në raundin e parë të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
“Shpend Ahmetin e përgëzoj për punën dhe fitoren, padyshim se si njeri në politikë duhet ta pranojë suksesin e dikujt dhe mendoj se është lajm i mirë”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj.
Ai po ashtu ka shprehur bindjen se edhe kandidati i PDK-së, Agim Çeku, të cilin e ka vlerësuar lartë, ta kishte në dispozicion një kohë më të gjatë që të merrej ekskluzivisht me fushatën zgjedhore në Prishtinë, do të arrinte në balotazh dhe do të fitonte në Prishtinë.
Hoxhaj ka folur edhe për rezultatin zgjedhor të PDK-së në nivel vendi, duke u shprehur i lumtur që rezultati zgjedhor edhe më tutje e konfirmon PDK-në si partinë më të madhe në vend, si parti që ka një gjeografi nacionale prej veriut të Kosovës e deri në Sharr në Dragash, e jo parti që i takon 2-3 komunave, të cilat i ka si bazen elektoral për mbijetesë politike.
Sa i përket raundit të dytë, Hoxhaj është shprehur i bindur se PDK do të fitojë në rreth 15 komuna, duke filluar nga Prizreni, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica dhe shumicën e komunave tjera ku PDK-ja është në balotazh. /Telegrafi/