Hoxhaj: Kosova po udhëhiqet nga frika, politika e jashtme po drejtohet nga sllogani në sllogan

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova po udhëhiqet nga frika, duke përmendur që politika e jashtme e vendit po udhëhiqet nga sllogani në sllogan.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka shkruar për një deklaratë të qeverisë të bërë në janar të vitit 2022, për një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia të zotohen për mos sulm ndaj njëra-tjetrës.

Hoxhaj, në vazhdën e kësaj, ka përmendur deklaratën e djeshme të presidentes në takim me presidentin e Shqipërisë, e cila përmendi që duhet bërë një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Shqipërisë, për të cilën Hoxhaj pati kritika të ashpra.

“As edhe në ëndrrën më të keqe nuk e kam paramenduar që politika e jashtme të lëkundet nga sllogani në sllogan, pa qëllime dhe pa strategji! Një sllogan nga Qeveria e dëgjuam në muajin janar të 2022, për një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia zotoheshin të mos e sulmojnë njëra-tjetrën! Një sllogan të ri e dëgjuam dje nga Presidentja e Kosovës për një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë!”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje, Hoxhaj tha se konceptualisht, marrëveshja për mos sulm dhe e traktatit të mbrojtjes reciproke, i takojnë kohës në mes të dy luftërave botërore.

“Konceptualisht, marrëveshja për mos sulm dhe e traktatit të mbrojtjes reciproke, i takojnë kohës në mes të dy luftërave botërore! Në një kohë të sotme kur edhe Suedia dhe Finlanda po anëtarësohen në NATO, duke kërkuar mbrojtje kolektive nga ajo! Ideja e traktatit të mbrojtjes është serioze vetëm nëse do të ishte diskutuar dhe koordinuar paraprakisht me Shqipërinë! Të mos shpallet vetëm si sllogan, duke pasur në krah, pa paralajmërim, presidentin e Shqipërisë, që u zu në befasi dhe nuk tha asgjë në konferencë për media”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se Kosova ka një Partneritet Strategjik me Shqipërinë nga janari i 2014, i dalë nga mbledhje të qeverisë të përbashkëta, marrëveshje të nënshkruara, me sekretariat që koordinon tema dhe ku prioritet i lartë është fusha e sigurisë!

“Sigurisht, që ky mekanizëm do merrej me temën dhe përmbajtjen e traktatit para se të miratohej në Kuvend! Duket se nuk e dinë këtë? Por, të paktën, besoj që e dinë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që një traktat i tillë nuk ndodh pa koordinim me të! Jam shumë për bashkëpunimit me Shqipërinë, si adresë kryesore e hartimit të Partneritetit Strategjik! Por, shqetësimi kryesor është paaftësia e tyre për të shfrytëzuar mundësitë pas rastit të Ukrainës, për t’u bërë të paktën pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s”, ka shkruar tutje ish-ministri i Jashtëm.

Ai tha se agresioni rus duhet të përdoret për të rritur kapacitetin tonë ushtarak, për ta izoluar Serbinë në rajon dhe anëtarësuar Kosovën në NATO.

“Është ajo që po e mbron Evropën dhe mbron shtetet. Kur kryeministri javën e kaluar foli për luftën dhe presidentja këtë javë për traktatin e mbrojtjes, qëllimisht po mbjellin një atmosferë frike, duke zëvendësuar temat e brendshme të krizës ekonomike dhe me sllogane të politikës së jashtme!”, thekson ai.

Ai tha se Kosova, për shumë vite ka qenë e sigurt nga pikëpamja psikologjike, kurse në javët e fundit, siç u shpreh ai, Kosova po udhëhiqet nga frika.

“Kjo nuk po bëhet për ta mbrojtur shtetin dhe sovranitetin, por për ta përmbushur egoizmin personal dhe populizmin partiak! Kjo është kohë që kërkon vendosmëri, maturi dhe qëndrueshmëri. Nuk është kohë e parullave si frymëzime të çastit drejt moçalit politik, nga ku s’mund të dalim assesi! Tani, takimin e 18 gushtit, a do ta filloni nga mos sulmi, apo nga mbrojtja?”, ka shtruar pyetjen Hoxhaj. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS