Hoxhaj: E pakuptueshme dhe anti-demokratike që drafti i Asociacionit mbahet fshehur nga publiku

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, thotë se është e pakuptueshme dhe anti-demokratike që drafti i Asociacionit, të cilin e ka pranuar kryeministri Kurti, mbahet i fshehur dhe nuk i tregohet opinionit publik.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë për Ekonomia Online se ai e ka parë një draft të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por tha se nuk dëshiron të komentojë pa e parë një draft zyrtar që del nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Një draft është prezantuar së fundmi në opinion nga ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani. Qeveria e Kosovës nuk e ka mohuar e as pohuar nëse ky draft-statut është i njëjti me draftin e BE-së.“Unë e kam lexuar draftin. Por pa e parë një draft zyrtar që del nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe që thotë kryeministri Kurti ky është drafti që e kam pranuar, nuk ma merr mendja që do të duhej me komentu tash”, deklaroi Hoxhaj.

“Përtej asaj se çka është në përmbajtje, për mua është shumë me rëndësi zotimi qeveritar. Dhe është e pakuptueshme dhe anti-demokratike që ky draft të mbetet më tutje i fshehur dhe të mos i tregohet opinionit publik për një temë e cila është shumë e rëndësishme”.

Draftin besohet se ndërmjetësi Miroslav Lajçak ua ka prezantuar në vizitën e fundit në Prishtinë, kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, si dhe liderëve të partive të tjera kryesore opozitare.

UBT

Por, Hoxhaj tha se nuk e ka takuar së fundmi kryetarin Krasniqi. “Unë nuk kam arritur ta shoh zotëri Krasniqin dhe të bisedoj për një temë të tillë”, deklaroi ai.

Hoxhaj nuk është parë të jetë pjesë as e një takim që ka mbajtur kryetari i Partisë Demokratike me Kryesinë e partisë, me deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me kryetarët e degëve.

Në një komunikatë pas takimit, PDK ka shprehur shqetësimin për mungesën e transparencës nga ana e kryeministrit Kurti në raport me procesin e dialogut, përkatësisht me draft-statutin e Asociacionit, për të cilin nuk ka ndarë akoma asnjë detaj me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe me qytetarët.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit tonë”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

PDK ka përsëritur qëndrimin se është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit “me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës”.