Hoxha: Të insistohet që çështja e vizave të përmbyllet në fillim të 2019-s

Rreze Hoxha, njohëse e procesit të integrimit nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë se dhënia e rekomandimit pozitiv nga ana e KE-së i ka dhënë fund përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës në aspektin procedural. Ajo çfarë mbetet të pritet tash sipas saj, është njohja e këtij realiteti nga të gjitha institucionet relevante, vendimmarrëse brenda BE-së.
“Andaj mbetet të shpresohet dhe njëkohësisht të kërkohet nga ana e diplomacisë kosovare lobimi drejt Komisionit Parlamentar përkatës të BE-së për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) me kërkesën që ta mandatojë Parlamentin Evropian që t’i ndjekë procedurat e tjera të nevojshme për përmbylljen e këtij procesi. Kështu duke arritur dakordim brenda institucioneve të BE-së për vendim pozitiv ndaj kësaj çështjeje ajo të votohet dhe të përmbyllet si e tillë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Ndërkohë për shkak të të gjitha procedurave nëpër të cilat duhet kaluar brenda institucioneve të BE-së, sipas Hoxhës, është pothuajse e paarritshme dhe të mendohet që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën mund të ndodhë brenda vitit 2018. “Ajo mbi të cilën duhet insistuar nga ana e institucioneve të Kosovës është që kjo çështje të diskutohet dhe të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm, për shkak se BE-ja do të kalojë në një proces të zgjedhjeve të brendshme. Po qe se çështja e liberalizimit të vizave nuk procedohet tutje deri në fillim të vitit 2019, atëherë rrezikon të mbetet jashtë agjendës edhe për një vit të tërë”, ka nënvizuar ajo./ZËRI