Hoxha: Kosova, e gatshme të kryejë detyrat për të avancuar drejt integrimit në BE
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka përshëndetur deklaratën e komisionarit të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, në Athinë, ku theksoi se “përmbushja e reformave dhe rezultatet konkrete shpejtojnë integrimin e vendeve te Ballkanit Perëndimor”.
Kosova është e gatshme që të kryejë detyrat e saj për të avancuar drejt integrimit në BE, ka theksuar Ministrja Hoxha.
Ajo ka thënë se Kosova pret nga BE-ja që të rikonfirmojë perspektivën evropiane të shtetit.
“Mirëpres deklaratën në Athinë të Komisionarit Hahn, për planin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova është e gatshme që të kryejë detyrat e saj për të avancuar drejt integrimit në BE. Presim nga BE-ja që të rikonfirmojë perspektivën evropiane të shtetit tonë. Komisionari Hahn e bëri të qartë se shtetet që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët nuk mund të bëhen pjesë e BE-së”, ka shkruar Hoxha në Facebook.


