Hoxha e Bunjaku: Uzurpimet po ndodhin çdo ditë, Kadastri po hesht?
Gjilan – Isa Bunjaku tha se dukuria e uzurpimeve është një element shumë negativë që qytetarëve të komunës tonë ja bën të vështirë jetën. Drejtoria për Kadastër nuk ka të identifikuar regjistrin e uzurpimeve edhe pse janë shumë evidente një numër i madh i uzurpimeve të pronave publike dhe shoqërore. Është një dukuri e re që komuna në kundërshtim me Ligjin apo pa i zbatuar procedurat ligjore jep në shfrytëzim tokën personave fizikë tha Bunjaku.
Në harmoni me planin e veprimit Komisioni për Pronë Ndërtim Urbanizëm dhe Ambient ka analizuar punën e institucioneve përkatëse komunale që kanë të bëjnë me këtë fushë.
Pa dyshim se janë të shumta problemet dhe abuzimet që ndodhin ditë e për ditë në komunën e Gjilanit ka thënë në një konferencë për medie Isa Bunjaku kryetar i komisioni për pronë dhe banim në kuadër të LDK-së.
Bunjaku tha se dukuria e uzurpimeve është një element shumë negativë që qytetarëve të komunës tonë ja bën të vështirë jetën. “Drejtoria për Kadastër nuk ka të identifikuar regjistrin e uzurpimeve edhe pse janë shumë evidente një numër i madh i uzurpimeve të pronave publike dhe shoqërore. Është një dukuri e re që komuna në kundërshtim me Ligjin apo pa i zbatuar procedurat ligjore jep në shfrytëzim tokën personave fizikë” tha Bunjaku.
Bunjaku tha se vlerësimet tona janë se një numër i objekteve në banim kolektiv të ngritur në pronë komunale apo shoqërore janë jo vetëm pa leje ndërtimi por edhe në kundërshtim me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat dhe Ligjin për koncesion, në fakt komuna pa bazë ligjore ka bërë shitblerje të pronës komunale apo publike. “Është shprehimisht dukuri negative që Lagjja “Dardania” e cila është rilevuar nga ekspertët e Drejtorisë për Gjeodezi Kadastër e Pronë që në vitin 2003 nuk ka përfunduar regjistrimi i pronave.
Gjithashtu dukuri negative interferimet jo profesionale dhe abuzive në zonën perëndimore “Qarku” për të cilën qytetarët përmes lejes së ndërtimit kanë paguar mjete të destinuara rregullimi i tokës i cili segment është pa kurrfarë progresi” ka thënë Bunjaku.
Bunjaku tha se problem akut është rregullimi i Lumit “Mirusha” i cili që nga viti 2007 zvarritet madje për shkaqe banale të joplanifikimit në kohë e cila reflekton ndryshime të kohë paskohshme e që dyfishon punët e ekzekutimit nga se shumë aktivitete kryhen dy apo tri herë.
Kurse Murat Hoxha nënkryetar i degës së LDK-së tha se është e pashmangshme të theksohet mungesa e dokumentit fillestarë qe është kusht themelore i funksionimit të Administratës Komunale, e ai është Plani i integruar i punës bazuar në planet e punës së Drejtorive, këtu fillon fatkeqësia e menaxhimit të Administratës Komunale.
“Si rrjedhojë nuk është arritur që Administrata Komunale në përgjithësi të shfrytëzojë në mënyre racionale resurset aktuale, nuk ka mundë të planifikojë ngritjen e kapaciteteve, nuk ka një organogram dhe përshkrim të qartë të vendeve të punës. Në disa drejtori ato janë më shumë shprehje dëshirash se sa plane reale pasi nuk ka një plan mbështetës të përgjithshëm. Në Komunë ka punëtor të rregullt, kontratë mbi vepër, vullnetarë të cilët kanë qasje dhe kompetenca në dokumente zyrtare, si dhe punëtorë pa kontratë, implementimi i projekteve përfshi edhe i atyre kapitale fillohet pa një strategji dhe një plan të veprimit, pa procedura të planifikuara të prokurimit, pa zotim të mjeteve, e që është reflektuar në rritjen e borxheve” tha Hoxha.
Hoxha ka thënë se nuk ka indikatorë të vlerësimit për premtimin e punësimit të 4000 punëtorëve në punë gjatë këtij mandati i cili është në përfundim, ndërsa tani realizimi i këtij premtimi mund të vlerësohet në promila. Janë ende të paqarta si nga aspekti ligjor dhe praktik ndërtimi i objekteve që janë në realizim e sipër në bazë të partneritetit Publik- Privat të vetmet projekte që janë duke u realizuar me motive të përfitimit financiar. Një përfitim të tillë sipas buxhetit të aprovuar për 2013 do të ketë edhe vetë Komuna ku janë paraparë mjetet prej 1,2 milion euro nga ky burim, cila është baza juridike, sigurisht që ajo nuk mund të gjendet në dy ligjet, ligjin për PPP dhe ligjin për Koncesion” ka përkujtuar Hoxha.
Sipas tij vargut të keqemenaxhimit të pronës komunale i bashkëngjitet edhe administrimi i hapësirave afariste komunale të cilat shfrytëzohen me qera apo edhe pa far kontrate, vlera e dëmit financiar në administrimin e këtyre hapësirave vlerësohet të jetë shumëfishi i mjeteve të planifikuara nga ky burim financiar, ndërsa në anën tjetër komuna paguan qera për nevojat e veta vlera më të mëdha për njësi dhe hapësira të papërshtatshme dhe të përfolura, duke i përkeqësuar kushtet e punës dhe duke rrezikuar edhe shëndetin e punëtorëve të Drejtorisë për Gjeodezi Kadastër dhe Pronë si dhe Inspeksionit të cilët do të duhej që për shkak të rrezikimit të shëndetit të punëtorëve respektivisht për shkak të kushteve higjieno teknike të nxirret vendim për marrjen e masave urgjente të eliminimit të këtij problemi.
Kjo qeveri lokale prej 2007 merret me planet rregulluese, edhe përgjatë enklavizimit të planeve rregulluese dhe ndarjes së sipërfaqeve relativisht të vogla nuk arriti që t`i mbulon sipërfaqet e përfshira në planin zhvillimor urban që duke përfshi edhe planet në proces dhe ato pa plane rregulluese përfshijnë një sipërfaqe rreth 1200 ha. Nuk ka ende iniciativa për hartimin e planeve rregulluese për pjesët tjera të përfshira në planin zhvillimor komunal. Me këtë trend Komuna nuk do të mund t`i përfundojë përfshirjen e tërë territorit me plane rregulluese as edhe një herë, madje më shpejt po behet ndërtimi se sa planifikimi ka ironizuar Hoxha.
Hoxha tha se në dy mandate të kësaj qeverie nuk u pa guximi as të parashihet ndërtimi i një impianti të pastrimit të ujërave të zeza i cili mund të ketë përfshirje regjionale, nuk u pa guximi të parashihet ndërtimi i një objekti të Administratës Komunale, nuk u pa guximi të përcaktohet lokacioni i ri i varrezave, nuk u pa guximi të realizohet një park industrial, nuk u pa guximi qe të kompensohen pronat private përgjatë rrugës qarkore, nuk u pa guximi të kërkohet planifikimi dhe ndërtimi i Autostradës Prishtinë- Gjilan – Dheu i Bardhë./rajonipress/


