Hidromorava

Hoxha: Disa shtete të BE-së kanë politizuar procesin e vizave

/ 2 minuta lexim

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pranuar për “Zërin” që disa shtete anëtare të BE-së, siç thotë ajo, pa ndonjë arsye legjitime janë duke e politizuar procesin e heqjes së vizave për Kosovën.

“Shumica e shteteve të cilat i kemi kontaktuar kanë qenë përkrahëse ndaj procesit të liberalizimit të vizave, sepse procesi është teknik dhe i thjeshtë. Kur plotësohen kriteret duhet të pasojë vendimmarrja. Ndërsa tani procesi është politizuar nga disa shtete anëtare pa asnjë arsye legjitime”, ka thënë ajo.

Hoxha vlerëson se në rast se BE-ja nuk vendos në favor të Kosovës për heqjen e vizave, atëherë sipas saj kjo do të nënkuptonte që BE-ja po përdor standarde të dyfishta për Kosovën.

Fidanishtja

“Dështimi eventual i BE-së që të zbatojë procedurat dhe rregullat e veta, të mos ua mundësojë qytetarëve tanë lëvizjen e lirë pas gjithë punës së bërë për plotësimin e 95 kritereve, nuk mund të shpjegohet ndryshe përpos standarde të dyfishta dhe trajtim i pabarabartë për qytetarët tanë, të mos them edhe fobi dhe diskriminim ndaj qytetarëve tanë. Me zvarritjen e procesit BE-ja po humb kredibilitetin në rregullat e veta, në institucionet dhe në sistemin që ka ndërtuar”, ka thënë Hoxha ndër të tjera.

Hoxha ka pohuar se si Ministri ende nuk kanë ndonjë konfirmim nëse çështja e vizave të Kosovës do të jetë në agjendë të Këshillit të Ministrave më datën 6 ose 7 dhjetor, mirëpo sipas saj institucionet e Kosovës vazhdimisht e kanë kërkuar një gjë të tillë.

“Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar dhe po kërkojmë që liberalizimi i vizave për Kosovën të futet në agjendë. Zyrtarisht nuk kemi marrë ndonjë njoftim lidhur me atë se a do të jetë në agjendë ose jo. Kushtet janë plotësuar, Komisioni Evropian ka konfirmuar plotësimin e tyre dhe tashmë nuk ka asnjë arsye që ky proces të vonohet”, ka theksuar Hoxha. /ZERI