ARKATANA

Hovenier: Grupi serb që sulmoi Policinë e Kosovës kishte armë të sofistikuara që nuk mund të blihen në tregun lokal

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa pasi të vërtetohet se kush qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai ka theksuar se nuk bëhet fjalë për grup të mbledhur spontanisht.

“Ka disa gjëra që i dimë. E dimë se ky grup individësh nuk ishte spontan. Këta individë, që ishin të gjithë serbë me sa dihet, kishin qasje dhe posedonin armë shumë të sofistikuara që nuk mund të blihen në tregun lokal. Duhet të ketë një strukturë, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron ato armë”, deklaroi Hovenier.

“Ne e dimë se pjesa më e madhe e materialit [luftarak] që ata lanë pas, ishte me origjinë nga Serbia. E dimë se Milan Radoiçiqi, që ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe bëri një deklaratë publike përmes avokatit të tij, duke marrë përsipër përgjegjësinë dhe duke thënë se kishte organizuar sulmin dhe kishte marrë përsipër në të. Këto janë gjëra që i dimë dhe po përpiqemi të kuptojmë më shumë rreth sulmit”, shtoi Hovenier.

RCCOLA

Hovenier thotë se dihet se kjo nuk mund të ndodhte spontanisht.

“Siç kemi thënë edhe më parë pas kësaj kishte struktura ose organizata. Ajo që ne po përpiqemi është të kuptojmë se si funksionoi saktësisht kjo”, ka deklaruar Hovenier.

Ambasadori Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Serbia të bashkëpunojë për ndriçimin e plotë të ngjarjeve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.