RCCOLA

Hoti: Qeveria po abuzon me buxhet, ndan para për frizere, fasada të shtëpive e roleta të dritareve

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar qeverinë dhe ministritë për keqpërdorime dhe abuzim me subvencione. Ai shkroi në Facebook se qeveria ka ndarë para nga buxheti i shtetit për udhëtime private, frizere e për fasada e roleta të shtëpive. Hoti thotë se të gjitha këto keqpërdorime janë të listuara në raportet e Auditorit për vitin 2018.

Ai shkroi se Ministria e Mjedisit ka paguar “14 persona për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut. Këta nuk janë zyrtarët të Ministrisë dhe nuk dihet qëllimi i kësaj mbështetje.”

Hoti gjithashtu akuzoi edhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik se ka paguar shpenzimet e një zyrtareje për ceremoninë e saj të diplomimit, duke i klasifikuar këtë rast si “shpenzime për udhëtim zyrtar”, transmeton Gazeta Express.

Hoti gjithashtu akuzoi edhe Ministrinë e Integrimit Evropian, në krye të së cilës është Dhurata Hoxha, me pretendimin se ajo ka ndarë 20.000 euro për dy OJQ, veprimtaria e së cilave nuk ndërlidhet me integrim evropian.

“Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha ndanë 20,000 euro për dy OJQ, edhe pse Komisioni i Vlerësimit e kishte anuluar procesin e përzgjedhjes. Veprimtaria e këtyre dy OJQ-ve nuk ndërlidhet fare me integrimin evropian. Ministria gjithashtu nuk ka arsyetuar avance në vlerë prej 11,134 euro.” shkroi Hoti.

Ndërsa për abuzim me shifra më të larta, ka akuzuar Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Zyrën e Kryeministrit.

Hoti ka shkruar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë kishte ndarë 244.840 euro për një OJQ që as nuk i ka plotësuar kriteret për subvencione.

Hidromorava

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë kishte ndarë 244,840 euro për OJQ që nuk i kanë plotësuar kushtet për këto subvencione. Në tri raste bizneset ishin themeluar qysh në vitin 2004 dhe 2005, e jo biznese të reja “Start up” shkroi ai.

Sipas tij, e njëjta ministri “kishte ndarë subvencion prej 14,900 për një shoqatë të bletarëve. Kishte ndarë 14,940 euro edhe për një shoqatë me emrin “Human Care”. Kryqit të Kuq i janë ndarë 200,000 euro pa u siguruar referencat e nevojshme nga kjo organizatë.

Madje Hoti shkroi se kjo ministri ndau subvencione edhe për frizere.

Ndërsa Zyrën e Kryeministrit e akuzoi për ndarjen e mbi 800.000 euro për një OJQ e që është në kundërshtim me Rregulloren 04/2017, madje edhe për mungesë të raporteve.

“Zyra e Kryeministrit ndanë 815 mije euro për një OJQ ne kundërshtim me Rregulloren 04/2017. Për këtë OJQ janë bere pagesa prej 806 mije euro, por Auditori konstaton se për shkak te mungesës se raporteve, nuk mund te konstatoje për rregullsinë e këtyre pagesave” shkroi ish-kandidati për kryeministër nga LDK-ja.

Hoti gjithashtu tha se 315 mijë euro janë ndarë për persona fizik e që një pjesë e këtyre parave kanë shkuar në zbukurimin e shtëpive, roleta të dritareve dhe fasadë.

“Janë ndare 315 mije euro për persona fizik nga Zyra për Çështje te Komuniteteve pa procedura dhe pa aprovim te komisionit. Ne disa raste janë ndare mjete për zbukurim te shtëpive, si roleta te dritareve dhe fasade” shkroi Hoti. /GazetaExpress/