Fundamenti

Hoti: Qeveria Kurti mashtron opinionin me fotografi nga veriu

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kryetarët e katër komunave në veri nuk janë të zgjedhur nga shumica e popullit. Ai gjithashtu tha se zyrtarët që shkojnë në veri e krekosen duke dalë nëpër foto atje e me deklarata që po promovojnë zhvillim ekonomik.

Hoti tha se nuk mund të krenohemi me arritjet në këtë pjesë të Kosovës.

“Nuk mund të krenohemi në Prishtinë që i kemi katër kryetarë të komunave në veri, kur ata janë zgjedhur me 2-3 për qind. Nuk mund të krenohemi që e kemi shtrirë sovranitetin atje, kur nuk ka asnjë polic të komunitetit serb atje. Jemi në vitin 2024, qeverisja lokale duhet të burojë nga qytetarët e atij lokaliteti. Nuk mund të krenohemi që e shtrijmë sovranitetin tonë me forca speciale atje. Atje pushteti shtrihet duke e integruar atë komunitet brenda institucioneve të Kosovës. Është fakt që ai komunitet është nën ndikimin negativ të Serbisë, por duhet të bëjmë gjithçka me aleatët tanë që ata t’i integrojmë”, tha Hoti për Klan Kosova.

Sipas tij, postimet e ministrave nga veriu i Kosovës po bëhen për të mashtruar opinionin e gjerë.

Uji Dea

“Nuk besoj që me masa policore mund të shtrihet sovraniteti atje. Sigurisht parandalohet krimi në atë pjesë të vendit dhe bëhet sundimi i ligjit, por ne kemi nevojë për të shtrirë qeverisje kushtetuese e demokratike në atë pjesë. Unë mendoj që mashtrojnë opinionin ata zyrtarë që shkojnë e krekosen duke dalë nëpër foto atje e me deklarata që po promovojnë zhvillim ekonomik, duke dalë krahas një kryetari të komunave atje që i ka 2-3 për qind që nuk komunikon askush me të, që rri 24 orë i mbyllur në zyrë, është mashtrim i opinionit të thuhet se ka më shumë autoritet të shtetit të Kosovës atje. Kanë qenë rreth 700 policë të komuniteti serb që i kanë shërbyer qytetarëve në atë pjesë të vendin nën komandën e Policisë së Kosovës me flamur të Kosovës në krah. Kanë qenë gjyqtarë e prokurorë që kanë marrë vendime në nivel të ndryshëm të gjykatave sipas ligjeve të Kosovës. Kështu shtrihet sovraniteti. Është e rëndësishme”, u shpreh ish-kryeministri Hoti.

Ai tha se është evidente se ndikimi i Serbisë te komuniteti serb në Kosovë vazhdon të jetë i fuqishëm, por shtoi se duhet të punohet me komunitetin serb, bashkë me aleatët, në mënyrë që ata të integrohen në institucionet e Kosovës.

“Nuk besoj se është mesazh i mirë që KFOR-i ka katërfishuar forcat në veri të Kosovës. Nuk po them se Kosova është fajtore për situatën e krijuar atje. Këto probleme janë iniciuar vazhdimisht nga ana e Serbisë, por kësaj radhe qeveria e Kosovës ka rënë në grackë, edhe në mungesë të koordinimit me aleatët, është krijuar një situatë e pamenaxhueshme në terren. Vetëm puna e zgjedhjeve të kryetarëve të rinj në veri po zvarritet tash e sa kohë”, theksoi Hoti.