RCCOLA

Hoti: Mungesa e përvojës shtetërore nga Qeveria e Kosovës ia dha të mbrapshtën dialogut

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka folur për “Dështimet në dialog të Kurtit dhe pasojat për Kosovën”.Hoti ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe sipas tij, ngecjet që ka.

Thotë se mungesa e përvojës shtetërore nga Qeveria e Kosovës “ia dhanë të mbbrapshtën dialogut”.

Po ashtu, në këtë shkrim në Facebook, ai ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka pasur mbështetje më të vogël për Kosovën nga aleatët.Po flitet se, krahasuar me ndërmjetësit e mëparshëm, Borell dhe Lajçak nuk arritën asgjë në dialog gjatë mandatit të tyre që mbaron në maj. Por, për fatin e keq të Kosovës, e vërteta është krejtësisht ndryshe:

  1. Baronesha Ashton arriti marrëveshjen e vitit 2013, ku parashihej një asociacion me kompetenca deri në vijën e atyre ekzekutive, e cila u ratifikua në Kuvendin e Kosovës dhe mundësoi, me gjithë vështirësitë në zbatim, shtrirjen e institucioneve të shtetit të Kosovës në veri;
  2. Zonja Mogerini arriti marrëveshjen e vitit 2015 për parimet e themelimit të asociacionit, por Kryeministri Mustafa u sigurua që kompetencat e asociacionit të jenë në përputhje me Kushtetutën, duke marrë miratimin e Gjykatës Kushtetuese para se statuti i asociacionit të fuqizohej;
  3. Ndërsa, Borrell dhe Lajçak, me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, arritën që kompetencat e asociacionit t’i zgjerojnë në nivel autonomie-‘vetëmenaxhimi’ për serbët e Kosovës, si dhe formalisht i dorëzuar Qeverisë së Kosovës draft statutin e asociacionit, i cili i referohet Rezolutës 1244, i zyrtarizon strukturat paralele në arsim e shëndetësi për disa vite, vendos arbitrazhin mbi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës etj.

Për fatin e keq të Kosovës, mungesa e vetëdijes dhe përvojës shtetërore nga Qeveria e Kosovës, duke mos u dhënë hapësirë në këtë proces ekspertëve, duke mos dëgjuar këshillat e aleatit kryesor, duke mos ofruar transparencë të procesit për opozitën për të marrë me kohë vërejtjet dhe sugjerimet, i dhanë të mbrapshtën dialogut.

Fundamenti

Mbështetja nga aleatët për Kosovën nuk ka qenë asnjëherë më e ulët se tani. Kjo sigurisht nuk mundëson asnjë lloj marrëveshje të mirë për Kosovën në dialog apo në çfarëdo procesi euro-integrues. Si rezultat, dialogu është zhvendosur nga një proces “me njohjen në qendër” që mbështetej nga letrat e liderëve kryesorë perëndimorë, në një proces “me asociacionin në qendër e i orientuar në menaxhimin e krizave”.

Për fatin e keq të Kosovës, derisa në qeveritë paraprake integrimi i Kosovës ka qenë i përcaktuar nga reformat e Kosovës të parapara nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e Qeverisë Mustafa, tani obligimet e Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit janë vendosur si kritere në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Për fatin e keq të Kosovës, tani është krijuar një status quo e re në dialog. Qeveritë e ardhshme duhet të përballen me pasojat, të kthejnë mbështetjen nga aleatët dhe të ri-nisin dialogun për njohje.