Mobi Casa

Hoti: Kurti të kujdeset për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, ndryshe s’do ta ketë gjatë në qeveri

/ 4 minuta lexim

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha në Kuvend se qeveria e Albin Kurtit duhet të kujdeset që të realizohen projektet e Marrëveshjes së Washingtoni përndryshe s’do ta kenë gjatë qeverisjen. Ish-kryeministri Hoti u shpreh poashtu se partia qe tash qeverisë duhet të kërkojë falje për deklaratat se Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë e cenon sovranitetin, raporton Gazeta Express.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë hap në këtë drejtim. Asgjë nuk është bërë në çuarjen përpara të kësaj marrëveshje. Këta që tani janë në qeveri unë i ftoj të kujdesen për realizimin e projekteve të kësaj marrëveshje, ju garantoj se ndryshe nuk do ta kenë gjatë në qeveri siç nuk e kanë pasur gjatë as vitin e kaluar. Ju njoftoj gjithashtu se admininstrata e presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje sepse kjo marrëveshje është në përputhje me interesat e përbashkëta të Kosovës dhe ShBA-së dhe me interesat e ShBA-së në regjion. Në letrën që presidenti i dërgon Kongresit e njofton se janë ndarë 200 milionë dollarë për projekte të gazit në Kosovë në kuadër të MCC-së”, ka thënë Hoti.

Ai ka pyetur qeverinë nëse raporti për studimin e fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit që i është dorëzuar ekzekutivit e cenon sovranitetin e Kosovës.

“Marrëveshja e Washingtonit është kritikuar nga të gjitha partitë opozitare atëherë. Dje qeveria ka pranuar studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, ka qenë absurde të deklarohet atëherë se kjo Marrëveshje e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë ka cenuar sovranitetin e Kosovës. Këtë studim e kanë në dorë dhe unë pres deklarim të qartë të qeverisë lidhur me këtë pyetje. A e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fizibilitetit për Liqenit të Ujmanit i përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës, e udhës është që të kërkohet falje iu pata thënë atëherë të mos nguten edhe sot ju them të mos nguten”, ka thënë Hoti në fjalën e tij.

Departmaneti amerikan për Energji ka dalë me raportin final të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Atë, njofton ambasada amerikane, ia kanë dorëzuar Qeverisë së Albin Kurtit.

Raporti përmban katër rekomandime se si Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në menaxhimin e Liqenit të Ujmanit.

Mobi Casa

Në këtë raport, amerikanët kanë propozuar që Kosova dhe Serbia të punojnë sipas një Traktati për Lumin Columbia mes ShBA-së dhe Kanadasë.

“Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër ”, thuhet në raport.

Traktaki i lumit Kolumbia është arritur në vitin 1961 midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshje u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin Montana në SHBA.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, traktati mundëson menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe ofron përfitime thelbësore për miliona njerëz në të dy anët e kufirit.

“Traktati ka lehtësuar përfitime shtesë si ujitja, përdorimi i ujit për nevoja lokale, përdorimi industrial, lundrimi dhe rekreacioni”, thuhet në ueb faqen e DASH-it./GazetaExpress/