Hosana baraba!

Nga Haqif Mulliqi – Dhe, më në fund ia dolëm. Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e përbuzem, e shamë, e poshtëruam, e sulmuam dhe e zhvlerësuam deri aty ku vështirë arrin mendja dhe kultura akademike e qytetare te ne.

Njerëzit (edhe akademikët janë njerëz si ne) as gjumë, thjeshtë, më nuk mund të bëjnë rehat. Jo rrallë e kemi zbuluar se gjenerator i çdo të keqe në shoqërinë tonë janë vetë akademikët, të cilët, kush e di si u ndodhën aty ku janë dhe se nuk po bëjnë asgjë për t’i zgjedhur problemet topa të mëdha.

Një fqinji im, sa nuk e denoncoi një ditë ASHAK-në se ata ishin fajtor që mësuesja e klasës së 3-të e kishte rrahur djalin e tij në një shkollë fillore të Prishtinës.

Bile, edhe njëri se nuk po merrej vesh për të ndarë pasurinë e trashëguar me vëllezër (ngase motrat as që hyjnë në këtë mes).

E, për çka nuk i akuzuam dhe nuk do t’i akuzojmë!? Thjeshtë, i kemi zënë gafil dhe ata as që po guxojnë më të bëzajnë, në vend që të jenë avangarda politike, shkencore dhe kulturore e vendit tonë!

Ndoshta do të ishte mirë t’i ç’adademikzojmë. Hë!? Ç’na duhen neve ata njerëz, aq më tepër nëse edhe akademikët na qenkan njerëz, sikundër e thamë?!

Universitetin e Prishtinës u përpoqëm ta bëjmë paçavure. Kjo përpjekje vazhdon nga dita në ditë, nga ora në orë dhe nga minuta në minutë. Bile, dikush u angazhua të akuzojë stafin e UP-së se na paska shumë doktorë shkencash! Se ka pak libra shkencor (ndërkohë që askush nuk ndanë para për t’i botuar ato), dhe se, fëmijët e profesorëve e sidomos dekanëve dhe të prodekanëve janë regjistruar nëpër shkolla shumë popullore universitare (mjekësi, arkitekturë, dizajn, regji filmi, etj.) Këtë e bënë sidomos ata që kanë pak muaj shkollë, si dhe disa që nuk kanë mundur të realizojnë interesat e tyre më të ngushta dhe më të fëlliqta” në UP. Kështu, duke e zhvlerësuar rolin prijatar (suprem) që kishte ky institucion i dijes në luftën për lirinë e Kosovës. Institucionin ku u formësua ideja për Republikën e Kosovës. Nuk mbeti kund budalla pa e përdhosur apo sharë UP-në edhe pse, në të gjitha listat e rejtingut, kudo që bëhen në botë, ky universitet është lider në botën shqiptare akademik.

Serbia nuk ia doli asnjëherë ta poshtërojë dhe zhvlerësojë Universitetin e Prishtinës.

Apo, tashti është më e suksesshme se dikur!?

Hosana baraba!

Para afro 22-3 vjetësh u thuren mite dhe legjenda për UÇK-në. Të gjithë ishin të lumtur se do burra e gra po vdesin atje për “çështjen” tonë të shenjtë dhe të drejtë. Për shtetin tonë… Por, me shpresë që lufta e tyre nuk do të arrijë në kryeqytet sepse do të paraqiste rrezik të madh për Atdheun e dergjur.

Ndërsa, kur kjo ndodhi, për 22 vjet, pareshtur, njerëzit u mobilizuan, verbalist (kokë-më kokë), mediatikisht e si jo, thurën komplote, fyerje dhe denigrime ndaj UÇK-së dhe asaj që bëri ajo, nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim të Kosovës. Ja, t’i pyes dikush njerëzit se sa luftëtar të UÇK-së ranë në altarin e Lirisë, askush nuk e di. Sa invalidë dhe të gjymtuar nga barbaria serbe!? Ngase ne jemi të kthyer me fytyrë nga e ardhmja e jo nga e kaluara. Të gjallët me të gjallët e të vdekurit me të vdekurit, u mendua.

E, në këtë kohë, ish-luftëtarët e lirisë u shndërruan në hajna, uzurpator, spiunë të KOS-i dhe BIA-s serbëve; kërcënues permanent; në vrasës brenda klanit; apo vrasës të oponentëve politik… Me një fjalë: vrasës të historisë dhe të lirisë që e sollën ata.

Hosana baraba!

Bile, këtyre ditëve më rastisi të lexojë se komandantët e UÇK ishin kriminel. Kriminelë të paraluftës, të luftës dhe të pasluftës… Dhe, del se serbët nuk kishin faj për të gjitha të gjitha ato që i bënë në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve për afro 100 vjet. “Lypësi-gjetësi”, thonë.

Pasi që këta të UÇK-së kishin luftuar kundër Serbisë, në fakt ata as që kishin luftuar por neve na morën në qafë. Ndërsa, është e nënkuptueshme se, nëse komandantët e UÇK-së ishin (apo janë) kriminelë, atëherë ushtarët e tyre, me apo pa vetëdije, janë, po ashtu kriminel, zhvatës, uzurpator, banditër, etj.

Serbia nuk po ka nevojë të thurë konspiracione kundër UÇK-së dhe liderëve të saj. Sidomos atyre që gjenden në Hagë në një proces gjyqësor racist, njënacional. Këtë po e bëjnë dofarë shqiptarësh të leshit. Ditë më drekë.

E ne, nuk po pimë shpesh shlivovicë të Krushevcit (nuk e gjejmë as për ilaç) dhe po ndihemi keq. As cigare “Morava”… As radio “Avalla”… As birra të Jagodinës nuk kemi, as salsiçe të Sremska Kamenicës…

Por, edhe më keq se sa kjo është se në Kosovë kemi gjithnjë e më pak dashnore serbe në “trafik” të brendshëm (e mbani mend Fadil Hoxha e hëngri sherri i kurvave serbe që mendonte t’i punësonte nëpër kafenetë e shqiptarëve për t’i qetësuar hamshorët shqiptar dhe për ta përhapur vëllazërim-bashkimin)…

Bile, po ta dinim se kush janë ata “hamshor” të sotëm që kanë dashnore serbe (bile edhe dashnorë serbë), mbase do të mbeteshim pa frymë, se, për ata të këtyre hershëm, atyre, tashmë u ka dalë boja.

Edhe shkrimi cirilik po mungon, të thuash gjithandej (na janë qorruar sytë për të), ndërsa, Petar Petkoviqi po e pengojnë të hardalloset si kali pa fre nëpër Kosovë! Hej Petar Petkoviq, more!!! Petkoviqin simpatik!

Hosana baraba!

Gjithashtu kemi treguar progres të madh në pajtimin ndërmjet veti!

UDB-ashët, komitetlinjtë krahinor dhe republikan, deputetët krahinor dhe republikan që për 50 vjet e dhanë votën e tyre për nënshtrimin e dhunshëm të Kosovës, kundërzbuluesit serbë ndër shqiptarët, vrasësit shqiptarë të demonstruesve, torturuesit e të burgosurve dhe vrasësit e fëmijëve për çështje të Serbisë i kemi amnistuar tashmë. I kemi falur, ngase, nuk mund të luftohet në disa fronte: pra, si t’i luftojmë njëherësh edhe ish-UDB-ashët dhe shërbëtorët tjerë të Serbisë edhe komandantët, ish-ushtarët, veteranët, invalidët dhe dëshmorët e UÇK-së? Këta të fundit është më lehtë ngase sezoni e gjuetisë për ta është hapur njëherë dhe assesi të mbyllet. Ndërsa ata të parët, mund t’i nxjerrin të palarat dikujt, dikujt… Eh, ata edhe mund të dinë shumëçka që ne nuk kemi si ta dimë!

Hosana baraba!

Zoti e di se, pas luftës tonë për liri, sa dashnorë serbesh, kurva dhe kurvarë të Beogradit janë dekoruar nga institucionet e Kosovës!? Anti-autonomistë, autonomistë, anti-republikanistë, ubdistë, kosiste, anti-UÇK-istë dhe UÇK-istë të shekullit 21, por edhe dhe përdhunues të ardhmërisë së Kosovës mund të na i fërfëllojnë mirënjohjet dhe dekoratat e marra nga institucionet e Kosovës për të bërat e tyre?! Dhe, kanë bërë shumë.

Hosana baraba.

Në fund, në Parlamentin e Kosovës ekziston një grupim politik neo-soocialist (është ajo rryma politike ndërmjet komunizmit dhe fashizmit). Quhen Lista serbe. Thënë të drejtën e tillë është… Por, ata nuk paraqesin rrezik për Kosovën. Ata janë banditër të vegjël që e kanë çjerrë maskën dhe, gjithsesi lehtë të menaxhueshëm. Por, çfarë t’u bëjmë disa kolegëve të tyre shqiptar?! Ata s’po e duan as Kosovën, as Shqipërinë e as shqiptarët.

Ky është paradoksi ndërsa, aroma e byrekut nga furra e afërme po e pushton ajrin këtu.

Tashti po shikoj që, me ndonjë koment në FB ta denigroj dikë me të cilin ka kohë që nuk po pajtohem.

Hosana baraba!

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS