UBT

Horror në Durrës. Rrefimi i taksistit: Orët peng, më prenë veshin me thikë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Horror në Shkozet të Durrësit. Një taksist 31-vjeçar është marrë peng nga një bashkëmoshatar i tij dhe është dhunuar barbarisht. Për një orë, Isa Xhumani (baba i një fëmije të mitur) ka përjetuar ferrin në banesën e Sabri Veternikut.

Taksisti është goditur me levë në kokë, është lidhur këmbë e duar dhe i është prerë njëri vesh. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 15:30, në një nga pallatet e ish-të përndjekurve politikë. Mësohet se agresori, Veterniku, pasi ka lënë pa ndjenja “gjahun” e tij, i ka grabitur portofolin me para, sendet personale, dhe e ka mbyllur me çelës në apartamentin ku jetonte (në katin e dytë të pallatit). Ndërkohë, ai ka marrë dhe makinën e viktimës dhe është larguar me një femër, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur.

Pasi është përmendur, Isa Xhumani ka mundur të zgjidhet dhe ka kërkuar ndihmë. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka dërguar në spital të plagosurin. Forca të shumta policore janë vënë në ndjekje të autorit të krimit, i cili është shpallur në kërkim. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se 31-vjeçari Sabri Veterniku është person i skeduar nga policia për vepra të rënda penale. Konkretisht për “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”, vepër për të cilën është dënuar dy herë me burg. Gjithashtu, mësohet se Veterniku thirrej nga shokët e tij me nofkën “Juristi”, për mënyrën se si u ka shpëtuar dënimeve. Sabri Veterniku është autor i grabitjes së një biznesmeni në zonën e Kodër-Vilës në Durrës, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2009. Mësohet se Veterniku, së bashku me disa persona nga Elbasani (janë në burg), i grabitën biznesmenit një shumë prej 200 milionë lekësh. Gjithashtu, burimet e mësipërme sqarojnë se babai i 31-vjeçarit është dënuar me 15 vjet burg, pasi ka përdhunuar një vajzë 12-vjeçare. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të zbardhë dëshminë e plotë të Isa Xhumanit në polici.

Pse shkove në shtëpinë e Sabri Veternikut?

Unë isha duke pritur klientë në vendin e caktuar për taksitë, rreth 500 metra nga banesa e autorit. Aty kishte edhe taksistë të tjerë. Ai erdhi dhe më kërkoi që të shkoja tek shtëpia e tij, tek pallati i të përndjekurve, pasi kishte gjyshen të sëmurë dhe duhej ta çonte në spital. Hipi në makinën time tip “Benz”, me targa 29 83 D, ngjyrë gri, dhe shkuam në shtëpinë e tij. Atje më tha të ngjitesha lart dhe ta ndihmoja që të zbriste gjyshen. Ai hyri në banesë dhe unë pas tij. Sapo hyra brenda, më goditi me levë në kokë. Ndjeva se u shemba përdhe. Sytë i kisha hapur, por nuk mund të flisja dot.

Çfarë ndodhi më pas?

Nuk mbaj mend mirë se çfarë bëri, por më goditi sërish, me shkelma, me grushte. Ndërkohë, pashë si nëpër mjegull se po më rrotullonte në një tapet që gjendej në dhomë. Më vuri një skoç në gojë, që të mos bëja zë. Isha i bllokuar me tapetin dhe nuk mund të lëvizja. Di që më lidhi dhe duart e këmbët me skoç, m’u mor fryma, dhe vetëm kur u përmenda nisa të çlirohesha me sa fuqi që kisha.

Ti, e njihje autorin e krimit?

Uji Dea

Tani që erdha në spital, mësova se personi që më torturoi barbarisht është nga Shkozeti, ku banoj dhe unë. Ai e kishte paramenduar që në fillim se çfarë do të bënte. Më kishte vjedhur orën, unazën, portofolin dhe çelësat e makinës. Kishte mbyllur derën nga jashtë. Më kishte lidhur kokë e këmbë brenda në një dhomë. Kur u përmenda, pashë se isha mbuluar nga gjaku. Nuk e dija që më kishte prerë edhe veshin.

Përveç dhunimit fizik, pati ngacmim tjetër nga ana e agresorit?

Jo. Qëllimi i tij ishte që të më grabiste dhe të më vriste.

Kush e njoftoi dhe kur mbërriti policia në vendngjarje?

Unë me të gjitha fuqitë që kisha, hoqa ngjitëset që kisha në duar, dhe më pas në këmbë e gojë. Bëra të dilja nga dera, por ajo ishte e mbyllur. Nisa të kërkoja ndonjë gjë nëpër banesë që të hapja derën. Në dhomë gjeta levën me të cilën ai më kishte goditur. Me levë theva xhamin e dritares dhe kërkova ndihmë. Jashtë pallatit ishte një banor, i cili lajmëroi menjëherë policinë. Mbaj mend që erdhën dy policë, të cilët e shqyen derën. Ata më morën në krahë e më sollën këtu në spital. Fillimisht nuk e kuptova që isha edhe pa njërin vesh, por mjekët më kanë qëndruar në kokë. Policia erdhi shpejt. Nëse nuk do të kishte ardhur, unë do të kisha vdekur.

Cili është apeli juaj?

Të kapet dhe të dënohet personi që më torturoi dhe më bëri të jetoja ferrin. Ai mund t’u bëjë të njëjtën gjë personave të tjerë. Ishte shumë i rrezikshëm, shumë i fuqishëm, dhe i përgatitur për të bërë krime të tilla. Unë dua të shërohem e të shkoj pranë familjes sime. (BalkanWeb)