HW

Homazh për Adem Demaçin (1936-2018) – Krishti shqiptar

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Mehmetali Rexhepi – Pas një rrugëtimi e përkushtimi jetësor, të paepur për çështjen mbi çështje, atdheun e tij të pushtuar e të ndarë, për kombin e përbuzur e të shkallmuar, djaloshi Adem Demaçi kapërceu sferën e të pamundshmes, duke u përballë me policinë serbe-jugosllave, qëndrimin e pashembullt në gjykatat e Federatës Jugosllave… Ngjalli shpresën, pothuajse të vdekur, për kërkimin dhe fitimin e lirisë, me paraqitjet e Tija në burg, dhe siç e pohonte Ai, në “burgun e quajtur Kosovë”.

Jetoi dhe veproi për kombin, për idenë madhore të kombit, të cilën e vuri mbi gjithçka… Kështu, me vizionin e Tij, me mënyrën e qasjes së drejtpërdrejtë dukurive shoqërore, politike, pa ekuivokë, pa ndërskamca, me një çiltërsi të paparë, të rreptë, gjithnjë ndërtuese, asnjëherë rrënuese, Baca Adem u bë një simbol i papërsëritshëm në përmasa kombëtare dhe botërore. I veçanti i durueshëm, gjithnjë u identifikua me kombin, të cilit ia fali rininë, pa kërkuar kompensime e pozita përfituese për vete, pa mburrje, por me një modesti të madhërishme i qasej halleve të popullit tij, si dhe fqinjëve. Të varfra janë fjalët për t`ia kapur e përmbledhur bëmat figurës emblematike, shkrimtarit e veprimtarit, frymëzuesit të brezave me guxim, parime e shpirtin e sakrificës të Adem Demaçit, të këtij Krishti shqiptar; të cilin klane të caktuara, të komprometuara e të korruptuara nuk ngurruan që mbi diellin e Tij të hidhnin baltën e përgojimeve… Shpirt-deti i Adem Demaçit përpiu çdo gjë që hidhej mbi të.

Pikërisht sot, më 26 korrik të këtij viti, në ora 17,40, pushoi zemra e Njeriut të sprovave të mëdha, të një figure që dikur nuk kemi guxuar t`ia shqiptonim emrin, por e kemi ëndërruar… Këtu, në shtëpinë e vet, në Prishtinë, u shua qenia fizike e quajtur Adem Demaçi ose Adem Dema, por tash e tutje vijon rrugëtimin model vepra e shumë-anshme atdhetare, letrare, politike, etike, estetike, diplomatike, filozofike dhe gjithsesi historike e Adem Demaçit. Kjo veprimtari e gjerë dhe unikale për llojin, mënyrën, rrethanat e ndërlikuara të saj, e përmbushi epokën e kapërcimeve të robërisë; epokë të cilën ditën ta shënonin veçse idealistë të përmasës së Adem Demaçit.

FIDANISHTJA

Përshtypjet e para të kritikave e qortimeve të Adem Demaçit, për gabimet e qëllimta a të paqëllimta për akëcilët politikanë, drejtues qeveritarë ose të tjerë, sidomos kur duhej të merreshin vendime me peshë për fatin e Kosovës, nuk gëlltiteshin lehtë për psikologjinë e ngushtë e të vetëmjaftueshme të akëcilit politikanë të pasinqertë. Do të bindemi se për shumëçka koha i dha të drejtë vizioneve të aty për atyshme dhe të përtejshme, profetike të Adem Demaçit. Andaj, deshëm a nuk deshëm, në kapërcej të dy shekujve, vulën e identitetit shqiptar ia dha pikërisht veprimtaria atdhetare dhe revolucionare e modeli të Adem Demaçit. Një identitet me filozofinë e tij, të luftës me mjete paqësore, me gjithë luhatjet e mundshme, do të përtrollitet tek trungu shqiptar dhe degët e prera të tij me kufij.

Çfarë kishte për të thënë, qoftë për mjedisin e tij kombëtar, qoftë për faktorin ndërkombëtar, Adem Demaçi e tha drejtpërsëdrejti, pa hezitime, troç. Një stil i tillë dhe një filozofi sikurse kjo, ndoshta për shumë kohë do t`i mungojë mendësisë shqiptare me sedër hatëresh!
Në qiellin e hapësirës shqiptare prore do të shkëlqejë si yll udhërrëfyes: Adem Demaçi!
Baca Adem: shpirt-gjerësia Juaj, besoj se do të na i fal mëkatet, ne vdekatarëve të gjallë!
Pushoftë i qetë trupi dhe mendja Juaj e papeshuar! Krenaria për Ty e ka mposhtur pikëllimin!

Gjilan, më 26 korrik 2018
Mehmetali Rexhepi

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.