Holanda vendos: Haga nikoqir i Gjykatës Speciale për Kosovën

Haga do të jetë nikoqir i Gjykatës Speciale, dhe Holanda tashmë ka nisur themelimin e saj.
Gjykata do të hetojë krimet e luftës të pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1999-2000 nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ndaj minoriteteve etnike, si dhe ndaj oponentëve politikë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës njoftimin për këtë e ka nisur edhe në adresë të portalit Koha.net, derisa nisjen e kësaj procedure e kanë raportuar edhe media ndërkombëtare.
Parashihet që Gjykata të nis punimet e saj më vonë gjatë këtij vit, pa saktësuar kohën e saktë
Në bazë të komunikatës të dënuarit potencialë nuk do ta vuajnë dënimin në Holandë.
Në këtë deklaratë të Qeverisë së Holandës, thuhet po ashtu se “hetimi i krimeve të luftës, është një çështje e ndjeshme në Kosovë.”
“Të dyshuarit e mundshëm nga një pjesë e shoqërisë kosovare mund të shihen si luftëtarë lirie dhe dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar në Kosovë”, thuhet me tej në deklaratë.
Kjo është komunikata e plotë:
Gjykata Speciale do të vendoset në Hagë
Gjykata Speciale do të vendoset në Hagë. Ky është vendimi i dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme në redaksinë e Koha.net, pasi sipas tyre, kanë rënë dakord me kërkesën e Bashkimit Evropian drejt Holandës për të qenë nikoqir i kësaj gjykate.
Gjykata Speciale pritet të veprojë më vonë gjatë këtij viti. Ajo do të vendoset në ish-ndërtesën e Europolit, ku do të ndërtohet një aneks për sallën e gjyqit. Gjatë kësaj kohe, gjykata do të vendoset në një vend tjetër në Hagë.
Gjykata do të gjykojë krimet serioze që besohet se janë kryer në periudhën 1999-2000 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ndaj minoriteteve dhe kundërshtarëve politikë. Kjo është një çështje e ndjeshme në Kosovë. Të dyshuarit e mundshëm mund të shihen nga një pjesë e shoqërisë kosovare si luftëtarë të lirisë ndërsa dëshmitarët mund të ndjehen të kërcënuar në Kosovë. Kjo është arsyeja përse ishte analizuar gjykimi i rasteve jashtë Kosovës.
Vendimi që gjykata të vendoset në Hagë është përcjellë nga bisedime mes autoriteteve të BE-së, Kosovës dhe Holandës. Gjykata do të paguhet nga fondet e BE-së.
Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, ka thënë se është e rëndësishme që të bëhet drejtësia, duke vazhduar se janë të kënaqur që do të ofrojnë një gjykatë të tillë. Kurse në bashkëpunim me ministrin e Sigurisë dhe Drejtësisë, Ard van der Steur, ata thanë se është privilegj për ta që presin një numër të madh të tribunaleve dhe gjykatave ndërkombëtare.
“Kjo është një mundësi që të sigurojmë që drejtësia të arrihet më në fund dhe të mbajmë njerëzit e përgjegjshëm për gabimet e tyre”, ka thënë Van der Steur.
Gjykata, e cila përbëhet nga gjyqtarët ndërkombëtare, do të themelohet nën ligjet e Kosovës. Kjo do të thotë se nuk do të jetë tribunal ndërkombëtar, por gjykatë kosovare e administruar jashtë Kosovës. Gjykata do të operojë sipas standardeve të larta ndërkombëtare të ligjit procedural. Të dënuarit nuk do të vuajnë dënimin në Holandë.
Qeveria e Holandës dhe ajo e Kosovës kanë përfunduar një marrëveshje që përcakton masat që do të aplikohen në gjykatë. Marrëveshja pritet të miratohet nga parlamentet e të dyja shteteve.
http://koha.net/?id=27&l=93722