Historia e turpit

Nga Blerim Shala: Kryeministri Thaçi, Presidentja Jahjaga, Samuel Zhbogar, Shefi i BE-së në Prishtinë, përdorën fjalë të rënda pas mbledhjes së Kuvendit, duke huqur, të gjithë së bashku dhe secili veç e veç, burimin e problemit dhe adresën e përgjegjësisë.

Gjithçka nisi si Ditë Historike, e përfundoi pastaj, si Ditë e Turpit.

Historia kishte të bëjë me 21 ligjet, ndryshimi i të cilëve duhet të mundësojë përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. E turpi, me dy nenet e Kodit Penal të Kosovës, të cilët kërcënojnë me mbylljen e gojës të gazetarëve në Kosovë.

Bota (kjo që është këndejpari, ajo tjetra, larg Kosovës, as nuk na intereson neve dhe as ne, me gjasë, nuk i interesojmë shumë asaj), na përgëzoi për Historinë dhe na kritikoi për Turpin.

Kuvendi i Kosovës, të premten e shkuar, më 22 qershor, ishte vendi i ngjarjes kryesore politike që njohu vlerësimet thellësisht kundërthënëse, gjithsesi përjashtuese, plotësisht komprometuese, në thelb.

Dy nenet e përmendura realisht përmbysin logjikën që ka sjellë ndryshimin e 21 ligjeve të Kosovës dhe që duhet të hapë udhë për kompletimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Po për këtë, pakkush dëshiron të flasë këndejpari.

E tëra, atë ditë, pra nisi me atmosferë solemne. Në Parlamentin e Kosovës u thanë fjalë që nuk kanë rrënjë të thella, të mos themi që nuk qëndrojnë fare në këmbë, të cilat synonin t’i bindin qytetarët e Kosovës që shteti i Kosovës, prej shtatorit të këtij viti, do të jetë në gjendje të qëndrojë në këmbë të veta, pa ndihmën e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO-së).

Këtu duhet shtuar menjëherë që sa për ICO-në, Kosova qëmoti ishte shtrirë për toke, se Zyra Civile Ndërkombëtare në tërësinë e saj, ka qenë një huqje e madhe, apo që nuk i ka kryer aspak detyrat e veta të parapara me Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, dhe që mbyllja e ICO-së është një e mirë e madhe për Kosovën. Nuk mund të llogaritet më në ndihmën e dikujt që realisht, kurrë ndihmë të duhur nuk i ka dhënë shoqërisë kosovare.

Shkurt e trup: Kosovës nuk i duhet gjë ICO-ja, e rrugës së ICO-së është edhe EULEX-i.

Shkurt e shqip: Kosova nuk mund të ecë para akoma vetë, pa krijimin e një partneriteti të mirëfilltë me Perëndimin, i cili, për çudinë tonë, ka pasur shenja më të mira gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe në vitet para shpalljes së pavarësisë Kosovës, se sa në vitet e mbrama.

Por në këtë hallakamën e një tifozllëku politik vendor dhe ndërkombëtarë ku ka fare pak gatishmëri dhe vullnet për tu ballafaquar me të vërtetat politike, e vetmja qasje politike është ajo e duartrokitjes apo e fishkëllimës: Heshtja dhe mendimi serioz nuk preferohen dot.

E ai mendim, siç u pa vetëm pak kohë pasiqë Kuvendi i Kosovës aprovoi, në leximin e parë Pakon e ndryshimeve të 21 Ligjeve, na flet që diçka është e kalbur në këtë politikën vendore dhe ndërkombëtare kosovare.

Rrëfimi është i ditur për të gjithë. Dy nene të Kodit Penal të Kosovës, i cili ndryshe duhet të hyjë në fuqi me 1 janar, 2013, u bënë shkas i përplasjeve të mëdha në të gjitha relacionet e mundshme në këtë mjerimin tonë të përgjithshëm politik: Mediat u konfrontuan me Qeverinë, Presidentja me Kuvendin, një Zëvendës-Kryeministër me vetë Qeverinë, BE-ja me të gjithë ne. Gjithë kjo shamatë duhej të konkludohej me një vendim të ri, gjakftohtë, të Kuvendit të Kosovës, për shfuqizimin e neneve problematike, për t’i çelë rrugë Kodit Penal dhe për ta hequr qafe dronë e gazetarëve që tash e tutje mund të ndëshkohen penalisht.

Rendi i Ditës i seancës së mbramë të Kuvendit ishte gatitur në atë mënyrë që Kosova të shënonte dy fitore politike, me të njëjtën logjikë: Ja, mbikëqyrjes së pavarësisë po i vjen fundi, dhe këtë po e dëshmojmë edhe duke ndreqë gabimet që i bëmë ndaj gazetarisë kosovare, me shlyerjen e këtyre dy neneve.

Mirë shumë, po doli e kundërta. Deputetët qeveritarë (të gjithë nga PDK), prapësuan dhe bënë copë e grimë këtë logjikë. Çfarë u tha, nëse duam ta shohim veten si duhet, atë të premte me ngjarjen rreth Kodit Penal të Kosovës ishte që tash, pasi që mbikëqyrjes së pavarësisë po i vjen fundi, ne mund të bëjmë çfarë të duam, edhe të miratojmë nene dhe Kode (e Ligje), për të cilat vetëm pak kohë më parë u pajtuam se duhet të mos jenë pjesë të kornizës ligjore të Kosovës.

Tash ne pyetemi këtu. Kështu disi i bie kjo punë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Presidentja Atifete Jahjaga, Samuel Zhbogar, Shefi i BE-së në Prishtinë, dhe shumë të tjerë, përdorën fjalë të rënda pas gjithë këtij maskarallëkut, gjithnjë duke huqur, të gjithë së bashku dhe secili veç e veç, burimin e problemit dhe adresën e përgjegjësisë.

U fol për turp e zhgënjim, dëshpërim dhe gabim të madh.

Të kujt? Kujt i takon turpi dreqi e marrtë? Kush është autor i gabimit të madh, që e nxiu edhe më shumë këtë faqen e zezë politike?

Ata që nuk kanë ditë se çfarë ndodhi në Kuvendin e Kosovës, kanë mundur të mbërrijnë, falë deklaratave të figurave të sipërpërmendura vendore dhe ndërkombëtare, te konkludimi që Kuvendi i Kosovës e bëri këtë marre. Teknikisht, dikush mund të shtojë këtu, kjo është e saktë, sepse në Kuvend nuk u mbërri tek numri i 61 deputetëve të duhur në këtë rast (pasi që ky Kod u kthye mbrapsht nga Presidentja Jahjaga). Por realisht dhe politikisht, dihet se kush ia bëri këtë të keqe Kosovës: PDK dhe askush tjetër. Partia që i prin Qeverisë. E kush udhëheq këtë Qeveri? Tek e mbrama.

Nuk mund të shpërndahet te të gjithë deputetët dhe te vetë institucioni i Kuvendit të Kosovës ky turp, siç po pretendohet tani.

Turpi dhe dështimi në këtë rast, pra, janë dukuri shumë konkrete, me emra dhe me mbiemra, me poste të qarta, me përgjegjësi të sanksionuar në të gjitha mënyrat e mundshme.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS