Hidromorava

Histeri kuq e zi

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj- Shqiptarët e Kosovës mund të çmenden në festë e gëzim për 28 Nëntorin, por ata të Shqipërisë do të vazhdojnë t’i shohin me habi e mospërfillje. Siç e shohin edhe festën e vet.

Në vitin 1996, Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku u prezantuan në Festivalin e RTSH’së me këngën “Ti nuk më meriton”, një ndër më të mirat të kënduara shqip. Si zakonisht kur bëhej fjalë për pjesëmarrës nga Kosova, kënga nuk fitoi, edhe pse prezantimi ishte mjaft dinjitoz.

Ndonëse tema e këngës kishte të bënte me dashurinë mes njerëzve, porosia e saj iu shkonte mjaft mirë të gjithë atyre që kishin zgjedhur të mos i vlerësojnë sa dhe si duhet krijimet artistike nga Kosova. Do të mund të interpretohej edhe si protestë dhe shprehje zhgënjimi se festivali i Tiranës nuk meritonte këngë të bukura si këto, të kënduara nga kosovarët.

Një vit pas Shqipëria u pllakos nga trazirat që lanë mbrapa shkatërrime, mijëra të vdekur dhe shumë dhembje, ndërkaq në Kosovë nisi cikli i dhunës dhe luftës me serbët.

Tash, kur Shqipëria feston 100 vjetorin e të qenit shtet, e Kosova është e lirë, “Ti nuk më meriton” tingëllon porosi më aktuale se kurrë – jo vetëm për botën artistike shqiptare, por për vetë shtetin shqiptar.

Jo ekzaltim, por njëfarë histerie e papërmbajtshme i ka kapluar kosovarët, me rastin e festës së një shekulli shtet shqiptar. Që nga kopshtet e fëmijëve, e deri te institucionet shtetërore – të gjithë janë përfshirë në atmosferën festive, madje duke kaluar çdo sens mase e logjike të shëndoshë. Tashmë janë kthyer në diçka banale organizimet “me rastin e 100 vjetorit”, duke humbur arsyeshmërinë dhe racionalitetin e nevojshëm.

Gjithsesi, në mesin e krejt kësaj rrëmuje patriotiko-folklorike, ku secili përpiqet të tregojë se është më shqiptar se tjetri, gjenden edhe simbolika interesante që ia vlejnë, siç është ajo e rritjes së mustaqeve nga të rinjtë, apo ajo e marshimit mbi kuaj të 100 kosovarëve nga Mitrovica deri në Vlorë.

Nuk do të kishte gjë të keqe në krejt këtë muhabet, po që se edhe vetë Shqipëria dhe qytetarët e saj, madje më fort se qytetarët e Kosovës, do të festonin përvjetorin e rëndësishëm të pavarësisë. Tekefundit, kjo edhe iu takon.

Por, ndryshe nga Kosova, në Shqipëri në përgjithësi shfaqet njëfarë mosinteresimi dhe indiference për festë. Mungojnë iniciativat, mungojnë simbolikat, mungon entuziazmi, mungon festa.

Nga qytetarët e Shqipërisë, ne të Kosovës mund të shihemi me habi, për gjithë çfarë bëjmë për festën, e cila zyrtyarisht është e atyre. Siç jemi parë me habi sa e sa herë kur jemi shfaqur “më katolik se papa” me veprimet tona, që nga sporti e kultura, deri te politika.

Fundamenti

Më 1912 u shpall pavarësia, por gjysma e trojeve shqiptare mbeti jashtë. Një shekull më vonë situata nuk ka ndryshuar fort.

Gjatë njëqind vjetëve, Shqipëria më shumë i ka bërë dëme vetes, sesa ka ndihmuar shqiptarët jashtë kufijve. Gati 50 vjet në diktaturë, e 20 të tjera në demokraci, secili që ka qenë në krye të saj më tepër e ka shkatërruar e sakatuar, sesa qeverisur si duhet e përparuar.

Tash, në prag të festës që po vjen, shqiptarët andej kufirit kanë zgjedhur prapë të na shohin me habi për gjithë entuziazmin që tregojmë për shtetin e tyre. Ashtu siç na kanë parë edhe kur tifozët nga Kosova shqyhen së përkrahuri Kombëtaren, edhe kur takojnë të rinj që mbajnë emra qytetesh, bjeshkësh e lumenjash të tyre, edhe kur qindra-mijëra kosovarë mësyjnë bregdetin shqiptar duke shpenzuar miliona euro.

Do t’i zgudullojnë sytë edhe më shumë kur, edhe dhjetë ditë, shteti do t’iu bllokohet nga kosovarë që do t’ia mësyjnë Tiranës e Vlorës për të festuar, për t’u ”tranuar”, duke lënë atje miliona të tjerë.

Për ata që mendojnë se ky shkrim sjell ndarje e përçarje ndër shqiptarë, më duhet të them se nuk jam kundër festës, por vetëm do të doja që bashkështetasit e mi të tregoheshin më të përmbajtur e racionalë – do të doja që të logjikojnë me kokë të ftohtë, e jo të nxehur nga folklorizmat. Sepse, situata e tashme ngjan sikur të shkosh në dasmë të një të afërmi, të çmendesh së kënduari e vallëzuari, përderisa ai vetë nuk sillet ashtu. A mund ta duam dikë më shumë se që e do ai veten? Kanë të drejtë ata andej kufirit nëse thonë “çne këta kosovarët!”.

Më shumë se një dekadë e gjysmë pas Festivalit të RTSH’së, Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku nuk kanë realizuar ndonjë këngë “me rastin e 100 vjetorit”, siç kanë bërë dhjetëra kolegë të tyre.

Një dekadë e gjysmë pas trazirave të tmerrshme, Shqipëria udhëhiqet nga njeriu që shihet fajtor pse lejoi të fuksionojnë firmat piramidale, që e çuan vendin në kaos. Retorika e tij vazhdon t’i çojë peshë shqiptarët jashtë kufijve.

Gati pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit të tyre, kosovarëve vazhdon t’iu mungojë arsyeja e shëndoshë dhe racionaliteti për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë.

Ne mund të çmendemi në festë e gëzim këtë fundnëntori, por ata do të vazhdojnë të na shohin me habi e mospërfillje. Siç e shohin edhe festën e vet.